Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Eksodi 12:12-26 Bibla Shqip (ALBB)

12. Atë natë unë do të kaloj nëpër vendin e Egjiptit dhe do të godas çdo të parëlindur në vendin e Egjiptit, qoftë njeri apo kafshë, dhe do t'i jap hakun gjithë perëndive të Egjiptit. Unë jam Zoti.

13. Dhe gjaku do të jetë për ju një shenjë mbi shtëpitë ku ndodheni; kur unë të shoh gjakun do të kaloj tutje dhe nuk do të ketë plagë mbi ju për t'ju zhdukur, kur të godas vendin e Egjiptit.

14. Ajo ditë do të jetë për ju një ditë për t'u mbajtur mend dhe ta kremtoni si festë kushtuar Zotit; do ta kremtoni nëpër kohëra si ligj të përjetshëm.

15. Për shtatë ditë do të hani bukë të ndorme. Ditën e parë do të kujdeseni të hiqni çdo maja nga shtëpitë tuaja, sepse kushdo që do të hajë bukë të mbrujtur, nga dita e parë deri në të shtatën, do të këputet nga Izraeli.

16. Ditën e parë do të keni një mbledhje të shenjtë, dhe një mbledhje të shenjtë edhe ditën e shtatë. Të mos bëhet asnjë punë ato ditë; të përgatitet vetëm ajo që do të hajë secili dhe asgjë tjetër.

17. Do të kremtoni, pra, festën e të ndormëve, sepse pikërisht në këtë ditë bëra të dalin radhët tuaja nga vendi i Egjiptit; do ta kremtoni, pra, këtë ditë nëpër kohëra si ligj të përjetshëm.

18. Gjatë muajit të parë, nga dita e katërmbëdhjetë e muajit, në mbrëmje, deri ditën e njëzetenjëtë, në mbrëmje, do të hani bukë të ndorme.

19. Për shtatë ditë të mos gjendet maja në shtëpitë tuaja, sepse kushdo që do të hajë diçka të mbrujtur, do të këputet nga asambleja e Izraelit, qoftë ai i huaj apo i lindur në vend.

20. Nuk do të hani asgjë të mbrujtur; në të gjitha banesat tuaja do të hani bukë të ndorme"".

21. Moisiu, pra, thirri gjithë pleqtë e Izraelit dhe u tha atyre: "Shkoni dhe merrni qengja për ju dhe për familjet tuaja, dhe flijoni Pashkët.

22. Pastaj do të merrni një tufëz hisopi, do ta ngjyeni në gjakun që është në legen, dhe me gjakun që është në legen do të spërkatni arkitraun dhe të dy shtalkat e dyerve; dhe asnjë prej jush nuk do të dalë nga dera e shtëpisë së tij deri në mëngjes.

23. Sepse Zoti do të kalojë për të goditur egjiptasit; po, kur do të shohë gjakun mbi arkitraun dhe mbi dy shtalkat, Zoti do të kalojë më tej derës dhe nuk do ta lejojë shkatërruesin të hyjë në shtëpitë tuaja për t'ju goditur.

24. Zbatojeni, pra, këtë si një porosi të përjetshme për ju dhe për bijtë tuaj.

25. Kur të hyni në vendin që do t'ju japë Zoti, siç e ka thënë, zbatoni këtë rit.

26. Kur bijtë tuaj do t'ju pyesin: "Ç'kuptim ka ky rit për ju?",

Lexoni kapitullin e plotë Eksodi 12