Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Eksodi 12:12-21 Bibla Shqip (ALBB)

12. Atë natë unë do të kaloj nëpër vendin e Egjiptit dhe do të godas çdo të parëlindur në vendin e Egjiptit, qoftë njeri apo kafshë, dhe do t'i jap hakun gjithë perëndive të Egjiptit. Unë jam Zoti.

13. Dhe gjaku do të jetë për ju një shenjë mbi shtëpitë ku ndodheni; kur unë të shoh gjakun do të kaloj tutje dhe nuk do të ketë plagë mbi ju për t'ju zhdukur, kur të godas vendin e Egjiptit.

14. Ajo ditë do të jetë për ju një ditë për t'u mbajtur mend dhe ta kremtoni si festë kushtuar Zotit; do ta kremtoni nëpër kohëra si ligj të përjetshëm.

15. Për shtatë ditë do të hani bukë të ndorme. Ditën e parë do të kujdeseni të hiqni çdo maja nga shtëpitë tuaja, sepse kushdo që do të hajë bukë të mbrujtur, nga dita e parë deri në të shtatën, do të këputet nga Izraeli.

16. Ditën e parë do të keni një mbledhje të shenjtë, dhe një mbledhje të shenjtë edhe ditën e shtatë. Të mos bëhet asnjë punë ato ditë; të përgatitet vetëm ajo që do të hajë secili dhe asgjë tjetër.

17. Do të kremtoni, pra, festën e të ndormëve, sepse pikërisht në këtë ditë bëra të dalin radhët tuaja nga vendi i Egjiptit; do ta kremtoni, pra, këtë ditë nëpër kohëra si ligj të përjetshëm.

18. Gjatë muajit të parë, nga dita e katërmbëdhjetë e muajit, në mbrëmje, deri ditën e njëzetenjëtë, në mbrëmje, do të hani bukë të ndorme.

19. Për shtatë ditë të mos gjendet maja në shtëpitë tuaja, sepse kushdo që do të hajë diçka të mbrujtur, do të këputet nga asambleja e Izraelit, qoftë ai i huaj apo i lindur në vend.

20. Nuk do të hani asgjë të mbrujtur; në të gjitha banesat tuaja do të hani bukë të ndorme"".

21. Moisiu, pra, thirri gjithë pleqtë e Izraelit dhe u tha atyre: "Shkoni dhe merrni qengja për ju dhe për familjet tuaja, dhe flijoni Pashkët.

Lexoni kapitullin e plotë Eksodi 12