Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Eksodi 10:8-15 Bibla Shqip (ALBB)

8. Kështu Moisiu dhe Aaroni u rikthyen te Faraoni; dhe ky u tha atyre: "Shkoni, shërbejini Zotit, Perëndisë tuaj. Por kush janë ata që do të shkojnë?". Moisiu tha:

9. "Ne do të shkojmë me fëmijët tanë dhe me pleqtë tanë, me bijtë tanë dhe bijat tona; do të shkojmë me kopetë tona të bagëtive të imta dhe të trasha, sepse duhet të kremtojmë një festë kushtuar Zotit".

10. Faraoni u tha atyre: "Zoti qoftë me ju, kur unë do t'ju lë të ikni bashkë me fëmijët tuaj! Por kini kujdes se mos keni qëllime të këqija!

11. Jo, jo! Shkoni ju, burra, t'i shërbeni Zotit; sepse kjo është ajo që kërkoni". Dhe i dëbuan nga prania e Faraonit.

12. Atëherë Zoti i tha Moisiut: "Shtrije dorën tënde mbi vendin e Egjiptit për karkalecat, me qëllim që ato të ngjiten dhe të mbulojnë vendin e Egjiptit dhe të përpijnë tërë bimësinë e vendit, tërë ato që ka lënë breshri".

13. Atëherë Moisiu zgjati bastunin e tij mbi vendin e Egjiptit; dhe Zoti ngriti një erë nga lindja mbi vendin tërë atë ditë dhe tërë natën; sa erdhi mëngjesi, era e lindjes solli karkalecat.

14. Dhe karkalecat u ngjitën në tërë vendin e Egjiptit dhe u ulën në tërë territorin e tij në numër të madh. Nuk kishte pasur kurrë një murtajë të tillë karkalecash më parë dhe nuk do të ndodhë ndonjë tjetër.

15. Ato mbuluan faqen e tërë dheut, aq sa e nxinë dheun; përpinë tërë bimësinë e vendit dhe tërë pemët e drurëve që breshri kishte lënë; dhe nuk mbeti asgjë e blertë mbi drurët dhe shkurrëzat e fushës, në tërë vendin e Egjiptit.

Lexoni kapitullin e plotë Eksodi 10