Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Eksodi 10:12-29 Bibla Shqip (ALBB)

12. Atëherë Zoti i tha Moisiut: "Shtrije dorën tënde mbi vendin e Egjiptit për karkalecat, me qëllim që ato të ngjiten dhe të mbulojnë vendin e Egjiptit dhe të përpijnë tërë bimësinë e vendit, tërë ato që ka lënë breshri".

13. Atëherë Moisiu zgjati bastunin e tij mbi vendin e Egjiptit; dhe Zoti ngriti një erë nga lindja mbi vendin tërë atë ditë dhe tërë natën; sa erdhi mëngjesi, era e lindjes solli karkalecat.

14. Dhe karkalecat u ngjitën në tërë vendin e Egjiptit dhe u ulën në tërë territorin e tij në numër të madh. Nuk kishte pasur kurrë një murtajë të tillë karkalecash më parë dhe nuk do të ndodhë ndonjë tjetër.

15. Ato mbuluan faqen e tërë dheut, aq sa e nxinë dheun; përpinë tërë bimësinë e vendit dhe tërë pemët e drurëve që breshri kishte lënë; dhe nuk mbeti asgjë e blertë mbi drurët dhe shkurrëzat e fushës, në tërë vendin e Egjiptit.

16. Atëherë Faraoni thirri me nxitim Moisiun dhe Aaronin dhe u tha: "Unë kam mëkatuar kundër Zotit, Perëndisë tuaj, dhe kundër jush.

17. Por tani të lutem, falmani mëkatin edhe një herë; dhe lutjuni Zotit, Perëndisë tuaj, që të largojë nga unë këtë mynxyrë vdekjeprurëse".

18. Dhe Moisiu doli nga Faraoni, dhe iu lut Zotit.

19. Pastaj Zoti ngriti një erë të kundërt, një erë nga perëndimi shumë të fortë, që i largoi karkalecat dhe i hodhi në Detin e Kuq. Nuk mbeti asnjë karkalec në tërë territorin e Egjiptit.

20. Por Zoti e fortësoi zemrën e Faraonit dhe ai nuk i la bijtë e Izraelit të ikin.

21. Atëherë Zoti i tha Moisiut: "Shtrije dorën drejt qiellit, me qëllim që të jetë errësirë në vendin e Egjiptit, errësirë që të mund të preket me dorë".

22. Dhe Moisiu e shtriu dorën e tij drejt qiellit, dhe u bë errësirë e madhe në tërë vendin e Egjiptit për tri ditë.

23. Njëri nuk shikonte tjetrin dhe asnjeri nuk lëvizi nga vendi ku ndodhej për tri ditë; por për të gjithë bijtë e Izraelit kishte dritë në banesat e tyre.

24. Atëherë Faraoni thirri Moisiun dhe i tha: "Shkoni, shërbejini Zotit, le të mbeten vetëm kopetë tuaja me bagëti të imët dhe të trashë; edhe fëmijët tuaj mund të vinë me ju".

25. Moisiu tha: "Ti duhet të na lejosh gjithashtu të marrim dhe disa fli dhe holokauste, që t'ia ofrojmë Zotit, Perëndisë tonë.

26. Edhe bagëtia jonë do të vijë me ne; nuk do të lëmë këtu as edhe një thua të saj, sepse do të marrim disa krerë për t'i shërbyer Zotit, Perëndisë tonë; dhe nuk e dimë me se do t'i shërbejmë Zotit, derisa të arrijmë atje poshtë".

27. Por Zoti e fortësoi zemrën e Faraonit dhe ai nuk deshi t'i linte të shkonin.

28. Atëherë Faraoni i tha Moisiut: "Qërohu nga unë! Ruhu se më del përpara, sepse ditën që do të më dalësh përpara do të vdesësh!".

29. Moisiu iu përgjigj: "Mirë e the; unë nuk do të të dal më përpara".

Lexoni kapitullin e plotë Eksodi 10