Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Danieli 5:17-31 Bibla Shqip (ALBB)

17. Atëherë Danieli u përgjigj dhe tha para mbretit: "Mbaji, pra, dhuratat e tua dhe jepi një tjetri shpërblimet e tua; megjithatë unë do t'ia lexoj shkrimin mbretit dhe do t'i bëj të njohur interpretimin.

18. O mbret, Perëndia Shumë i Lartë i kishte dhënë Nebukadnetsarit, atit tënd, mbretëri, madhështi, lavdi dhe madhëri.

19. Për madhështinë që i kishte dhënë, tërë popujt, tërë kombet dhe gjuhët dridheshin dhe kishin frikë para atij; ai vriste kë të donte dhe linte të gjallë kë të donte, ngrinte kë të donte dhe ulte kë të donte.

20. Po, kur zemra e tij u ngrit dhe fryma e tij u ngurtësua deri në arrogancë, ai u rrëzua nga froni mbretëror dhe iu hoq lavdia e tij.

21. Pastaj u dëbua nga bijtë e njerëzve, zemra e tij u bë e ngjashme me atë të kafshëve të tij dhe banesa e tij me atë të gomarëve të egër; i dhanë bar për të ngrënë si qetë dhe trupi i tij u lag nga vesa e qiellit, derisa pranoi që Perëndia Shumë i Lartë sundon mbi mbretërinë e njerëzve dhe mbi të vendos atë që do.

22. Por ti Belshatsar, biri i tij, megjithëse e dije gjithë këtë, nuk e ke përulur zemrën tënde;

23. përkundrazi je ngritur kundër Zotit të qiellit, urdhërove të të sjellin përpara vazot e tempullit të tij, dhe me to keni pirë verë ti dhe të mëdhenjtë e tu, bashkëshortet e tua dhe konkubinat e tua. Përveç kësaj ke lëvduar perënditë prej argjendi, prej ari, prej bronzi, prej druri e guri, që nuk shohin, nuk dëgjojnë dhe nuk kuptojnë, dhe nuk ke përlëvduar Perëndinë, në dorën e të cilit është fryma jote jetësore dhe të cilës i përkasin tërë rrugët e tua.

24. Prandaj nga prania e tij u dërgua pjesa e asaj dore, që ka shkruar shkrimin.

25. Ky është shkrimi që u vizatua: MENE, MENE, TEKEL UFARSIN.

26. Ky është interpretimi i çdo fjale: MENE: Zoti ka bërë llogarinë e mbretërisë sate dhe i ka dhënë fund.

27. TEKEL: ti u peshove në peshoret dhe u gjet që të mungonte diçka.

28. PERES: mbretëria jote u nda dhe iu dha medasve dhe persianëve".

29. Atëherë, me urdhër të Belshatsarit, Danieli u vesh me të purpurta, i vunë në qafë një gjerdan ari dhe shpallën që ai do të ishte i treti në qeverisjen e mbretërisë.

30. Po atë natë Belshatsari, mbreti i kaldeasve, u vra;

31. dhe Dari, medasi, mori mbretërinë në moshën gjashtëdhjetë e dy vjeç.

Lexoni kapitullin e plotë Danieli 5