Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Danieli 5:14-25 Bibla Shqip (ALBB)

14. Kam dëgjuar të thonë për ty që fryma e perëndive është te ti, dhe se te ti gjenden dritë, mençuri dhe një dituri e jashtëzakonshme.

15. Tani kanë sjellë pranë meje njerëz të ditur dhe astrologë me qëllim që të lexojnë këtë shkrim dhe të më bëjnë të njohur interpretimin e tij; por ata nuk kanë qenë të zotë të më jepnin interpretimin e çështjes.

16. Kam dëgjuar ndërkaq të thuhet se ti je në gjendje të japësh interpretimin dhe të zgjidhësh çështje të ndërlikuara. Tani në rast se je i zoti të lexosh këtë shkrim dhe të më bësh të njohur interpretimin e tij, ti do të vishesh me rroba të purpurta, do të mbash një gjerdan ari në qafë dhe do të jesh i treti në qeverisjen e mbretërisë".

17. Atëherë Danieli u përgjigj dhe tha para mbretit: "Mbaji, pra, dhuratat e tua dhe jepi një tjetri shpërblimet e tua; megjithatë unë do t'ia lexoj shkrimin mbretit dhe do t'i bëj të njohur interpretimin.

18. O mbret, Perëndia Shumë i Lartë i kishte dhënë Nebukadnetsarit, atit tënd, mbretëri, madhështi, lavdi dhe madhëri.

19. Për madhështinë që i kishte dhënë, tërë popujt, tërë kombet dhe gjuhët dridheshin dhe kishin frikë para atij; ai vriste kë të donte dhe linte të gjallë kë të donte, ngrinte kë të donte dhe ulte kë të donte.

20. Po, kur zemra e tij u ngrit dhe fryma e tij u ngurtësua deri në arrogancë, ai u rrëzua nga froni mbretëror dhe iu hoq lavdia e tij.

21. Pastaj u dëbua nga bijtë e njerëzve, zemra e tij u bë e ngjashme me atë të kafshëve të tij dhe banesa e tij me atë të gomarëve të egër; i dhanë bar për të ngrënë si qetë dhe trupi i tij u lag nga vesa e qiellit, derisa pranoi që Perëndia Shumë i Lartë sundon mbi mbretërinë e njerëzve dhe mbi të vendos atë që do.

22. Por ti Belshatsar, biri i tij, megjithëse e dije gjithë këtë, nuk e ke përulur zemrën tënde;

23. përkundrazi je ngritur kundër Zotit të qiellit, urdhërove të të sjellin përpara vazot e tempullit të tij, dhe me to keni pirë verë ti dhe të mëdhenjtë e tu, bashkëshortet e tua dhe konkubinat e tua. Përveç kësaj ke lëvduar perënditë prej argjendi, prej ari, prej bronzi, prej druri e guri, që nuk shohin, nuk dëgjojnë dhe nuk kuptojnë, dhe nuk ke përlëvduar Perëndinë, në dorën e të cilit është fryma jote jetësore dhe të cilës i përkasin tërë rrugët e tua.

24. Prandaj nga prania e tij u dërgua pjesa e asaj dore, që ka shkruar shkrimin.

25. Ky është shkrimi që u vizatua: MENE, MENE, TEKEL UFARSIN.

Lexoni kapitullin e plotë Danieli 5