Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Danieli 4:7-18 Bibla Shqip (ALBB)

7. Atëherë erdhën magjistarët, astrologët, kaldeasit dhe shortarët, të cilëve u tregova ëndrrën, por ata nuk mundën të më bënin të njohur interpretimin e saj.

8. Më në fund erdhi para meje Danieli, i quajtur Beltshatsar nga emri i perëndisë tim dhe tek i cili është fryma e perëndive të shenjta, dhe unë ia tregova ëndrrën:

9. Beltshatsar, kreu i magjistarëve, sepse unë e di që fryma e perëndive të shenjta është te ti dhe që asnjë sekret nuk të shqetëson, tregomë vegimet e ëndrrës që kam parë dhe interpretimin e saj.

10. Vegimet e mendjes sime kur isha në shtratin tim janë këto: Unë shikoja, dhe ja një dru në mes të dheut, lartësia e të cilit ishte madhe.

11. Druri u rrit dhe u bë i fortë; maja e tij arrinte në qiell dhe ai mund të shihej nga skajet e gjithë dheut.

12. Gjethnaja e tij ishte e bukur, fryti i tij i bollshëm dhe ai kishte ushqim për të gjithë; poshtë tij gjenin hije kafshët e fushave, shpendët e qiellit rrinin midis degëve të tij dhe nga ai merrte ushqim çdo qenie e gjallë.

13. Ndërsa në shtratin tim vëreja vegimet e mendjes sime, ja një roje, një i shenjtë, zbriti nga qielli,

14. bërtiti fort dhe tha kështu: "Prisni drurin dhe këputni degët e tij, shkundni fletët e tij dhe shpërndani frytet e tij; le të largohen kafshët që rrinë poshtë tij dhe shpendët nga degët e tij.

15. Lëreni ndërkaq në tokë cungun e rrënjëve të tij, të lidhur me zinxhirë hekuri dhe bronzi midis barit të fushave. Le të laget nga vesa e qiellit dhe le të ketë bashkë me kafshët pjesën e barit që i takon.

16. Zemra e tij le të ndryshojë, dhe në vend të një zemre njeriu t'i jepet një zemër kafshe dhe le të kalojnë mbi të shtatë kohë.

17. Kjo është dekretuar nga rojet dhe vendimi vjen nga fjala e të shenjtëve në mënyrë që të gjallët të dinë që Shumë i Larti sundon mbi mbretërinë e njerëzve; ai ia jep atij që dëshiron dhe larton mbi të të keqin e të këqijve".

18. Kjo është ëndrra që kam parë unë, mbreti Nebukadnetsar. Tani ti, Beltshatsar, jepi interpretimin, sepse asnjë nga të diturit e mbretërisë sime nuk është në gjendje të më bëjë të njohur interpretimin e saj; por ti mundesh, sepse fryma e perëndive të shenjta është te ti".

Lexoni kapitullin e plotë Danieli 4