Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Danieli 2:41-49 Bibla Shqip (ALBB)

41. Siç e pe, këmbët dhe gishtërinjtë ishin pjesërisht prej argjile poçari dhe pjesërisht prej hekuri, kështu kjo mbretëri do të ndahet; megjithatë, ajo do të ketë fortësinë e hekurit, sepse ti ke parë hekurin të përzier me argjilë të butë.

42. Dhe ashtu si gishtërinjtë e këmbëve ishin pjesërisht prej hekuri dhe pjesërisht prej argjile, kështu ajo mbretëri do të jetë pjesërisht e fortë dhe pjesërisht e brishtë.

43. Siç e pe hekurin të përzier me argjilën e butë, ata do të përzihen nga fara njerëzore, por nuk do të bashkohen njëri me tjetrin, pikërisht ashtu si hekuri nuk amalgamohet me argjilën.

44. Në kohën e këtyre mbretërve, Perëndia i qiellit do të nxjerrë një mbretëri, që nuk do të shkatërrohet kurrë; kjo mbretëri nuk do t'i lihet një populli tjetër, por do të copëtojë dhe do të asgjësojë tërë këto mbretëri, dhe do të ekzistojë përjetë,

45. pikërisht ashtu siç e pe gurin të shkëputet nga mali, jo nga dora e njeriut, për të copëtuar hekurin, bronzin, argjilën, argjendin dhe arin. Perëndia i madh i ka bërë të njohur mbretit atë që ka për të ndodhur tani e tutje. Ëndrra është e vërtetë dhe interpretimi i saj është i sigurt".

46. Atëherë mbreti Nebukadnetsar ra me fytyrë dhe ra përmbys para Danielit; pastaj urdhëroi që t'i paraqitnin një ofertë dhe temjan.

47. Mbreti i foli Danielit dhe tha: "Në të vërtetë Perëndia juaj është Perëndia i perëndive, Zoti i mbretërve dhe zbuluesi i sekreteve, sepse ti ke mundur të zbulosh këtë sekret".

48. Atëherë mbreti e bëri Danielin të madh, i dha dhurata të shumta dhe të mëdha, e bëri qeveritar të gjithë krahinës së Babilonisë dhe kreun më të lartë të gjithë të diturve të Babilonisë.

49. Përveç kësaj, me kërkesë të Danielit, mbreti vuri në krye të administratës së krahinës së Babilonisë Shadrakun, Meshakun dhe Abed-Negon. Danieli përkundrazi mbeti në oborrin e mbretit.

Lexoni kapitullin e plotë Danieli 2