Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Danieli 2:29-40 Bibla Shqip (ALBB)

29. O mbret, mendimet që të kanë ardhur në shtratin tënd kanë të bëjnë me atë që ka për të ndodhur tani e tutje; dhe ai që zbulon sekretet të ka bërë të njohur atë që ka për të ndodhur.

30. Sa për mua, ky sekret m'u zbulua jo sepse kam më tepër dituri nga tërë të gjallët e tjerë, por me qëllim që interpretimi im t'i njoftohet mbretit, dhe ti të njihesh me mendimet e zemrës sate.

31. Ti ishe duke shikuar, o mbret, dhe ja një figurë e madhe; kjo figurë e stërmadhe, me një shkëlqim të jashtëzakonshëm, ngrihej para teje me një pamje të tmerrshme.

32. Koka e kësaj figure ishte prej ari të kulluar, gjoksi i saj dhe krahët e saj ishin prej argjendi, barku i saj dhe kofshët e saj prej bronzi,

33. këmbët e saj prej hekuri, këmbët e saj pjesërisht prej hekuri dhe pjesërisht prej argjile.

34. Ndërsa po shikoje, një gur u shkëput, por jo nga dora e njeriut, dhe goditi figurën në këmbët e saj prej hekuri dhe argjile dhe i copëtoi.

35. Atëherë hekuri, argjila, bronzi, argjendi dhe ari u copëtuan bashkë dhe u bënë si kope byku në lëmë gjatë verës; era i mori me vete dhe nuk u gjet më asnjë gjurmë e tyre. Por guri që kishte goditur figurën u bë një mal i madh, që mbushi tërë tokën.

36. Kjo është ëndrra; tani do të japim interpretimin përpara mbretit.

37. Ti, o mbret, je mbreti i mbretërve, sepse Perëndia i qiellit të ka dhënë mbretërinë, pushtetin, forcën dhe lavdinë.

38. Ngado që të banojnë bijtë e njerëzve, kafshët e fushës dhe shpendët e qiellit, ai i ka lënë në duart e tua dhe të ka bërë të sundosh mbi gjithë ata. Ti je koka e artë.

39. Mbas teje do të dalë një mbretëri tjetër, më e vogël, më e ulët nga jotja; pastaj një mbretëri tjetër prej bronzi, që do të sundojë mbi gjithë dheun.

40. Mbretëria e katërt do të jetë e fortë si hekuri, sepse hekuri copëton dhe thërrmon çdo gjë; ashtu si hekuri që copëton, kjo mbretëri do t'i copëtojë dhe do t'i thërrmojë tërë këto mbretëri.

Lexoni kapitullin e plotë Danieli 2