Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Danieli 11:21-32 Bibla Shqip (ALBB)

21. Në vend të tij do të dalë një njeri i neveritshëm, që nuk do të ketë dinjitet mbretëror; ai do të vijë paqësisht, por do ta shtjerë në dorë mbretërinë me intriga.

22. Para tij forcat e mëdha do të thyhen dhe do të shkatërrohen, po ashtu edhe kreu i një aleance.

23. Menjëherë pasi të ketë lidhur një aleancë me të, ai do të veprojë me pabesi dhe do të arrijë në pushtet me pak njerëz.

24. Ai do të hyjë në mënyrë paqësore edhe në pjesët më të pasura të krahinës dhe do të bëjë atë që nuk kishin bërë kurrë as etërit e tij as etërit e etërve të tij; do të shpërndajë midis tyre plaçkë, plaçkën e luftës dhe pasuritë dhe do të hartojë plane kundër fortesave, por vetëm për një kohë.

25. Me një ushtri të madhe do t'i nxitë forcat e tij dhe zemrën e tij kundër mbretit të jugut. Mbreti i jugut do të futet në luftë me një ushtri të madhe dhe shumë të fuqishme, por nuk do të mund të rezistojë, sepse do të kurdisen komplote kundër tij.

26. Vetë ata që hanë bashkë me të do ta shkatërrojnë; ushtria e tij do të thyhet dhe shumë do të bien të vrarë.

27. Zemra e këtyre dy mbretërve do të drejtohet për të bërë keq; ata do të flasin gënjeshtra të ulur në të njëjtën tryezë, por gjëja nuk do të ketë sukses, sepse fundi do t'u vijë në kohën e caktuar.

28. Duke u kthyer në vendin e tij me pasuri të mëdha, zemra e tij do të vihet kundër besëlidhjes së shenjtë; kështu ai do të kryejë qëllimet e tij dhe pastaj do të kthehet në vendin e tij.

29. Në kohën e caktuar ai do të dalë përsëri kundër jugut, por këtë herë të fundit puna nuk do t'i vejë mbarë si herën e parë,

30. sepse anijet e Kitimit do të vijnë kundër tij; prandaj ai do të trembet, do të zemërohet përsëri kundër besëlidhjes së shenjtë dhe do të zbatojë planet e tij; kështu përsëri do të merret vesh me ata që kanë braktisur besëlidhjen e shenjtë.

31. Forca të dërguara prej tij do të ngrihen për të përdhosur shenjtëroren fortesë, do të ndalojnë flijimin e përditshëm dhe do të bëjnë veprime të neveritshme që shkaktojnë shkretim.

32. Me lajka ai do të korruptojë ata që veprojnë pabesisht kundër besëlidhjes; por populli i atyre që njohin Perëndinë e tyre do të tregojë qëndresë dhe do të veprojë.

Lexoni kapitullin e plotë Danieli 11