1. Ja ç'më bëri të shoh Zoti, Zoti: ishte një shportë me fruta vere.
2. Ai më tha: "Amos, çfarë po shikon?". Unë u përgjigja: "Një shportë me fruta vere". Zoti më tha: "Erdhi fundi për popullin tim të Izraelit; nuk do ta fal më gjatë.
3. Atë ditë këngët e tempullit do të bëhen vajtime", thotë Zoti, Zoti. "Do të ketë kudo shumë kufoma; do t'i hedhin jashtë në heshtje".
4. Dëgjoni këtë, o ju që gllabëroni nevojtarin dhe shfarosni të varfrit e vendit,
5. dhe thoni: "Kur do të kalojë hëna e re që të mund të shesim grurin, dhe e shtuna që të fillojmë shitjen e grurit, duke e zvogëluar efan dhe duke rritur siklin, duke falsifikuar peshoret për të mashtruar,
6. duke i blerë të varfrit me para, nevojtarin për një palë sandale dhe duke shitur edhe skarcitetet e grurit?".
7. Zoti është betuar për krenarinë e Jakobit: "Nuk do të harroj asnjë nga veprat e tyre.
8. A nuk do të dridhet vallë vendi për këtë dhe nuk do të jenë në zi tërë banorët e tij? Do të ngrihet i tëri si Nili, do të trazohet dhe do të ulet si lumi i Egjiptit.
9. Atë ditë do të ndodhë", thotë Zoti, Zoti, "që unë do ta bëj diellin të perëndojë në mesditë dhe do ta errësoj tokën ditën.