1. Pas këtyre gjërave, Davidi i mundi filistenjtë, i poshtëroi dhe u hoqi nga dora qytetin e tyre më të rëndësishëm.
2. Mundi edhe moabitët dhe i mati me litar, mbasi i shtriu për tokë. Me dy litarë mati ata që duhet të vriteshin dhe me një litar të plotë ata që do të mbeteshin të gjallë. Kështu moabitët u bënë nënshtetas dhe taksapagues të Davidit.
3. Davidi mundi edhe Hadadezerin, birin e Rehobit, mbret të Tsobahut, ndërsa ai shkonte të rivendoste sundimin e tij gjatë lumit Eufrat.
4. Davidi i mori njëmijë e gjashtëqind kalorës dhe njëzet mijë këmbësorë. Ai u preu gjithashtu leqet e këmbëve tërë kuajve, por la mjaft prej tyre për njëqind qerre.
5. Kur sirët e Damaskut erdhën për të ndihmuar Hadadezerin, mbretin e Tsobahut, Davidi vrau njëzet e dy mijë prej tyre.
6. Pastaj Davidi vendosi garnizone në Sirinë e Damaskut dhe sirët u bënë nënshtetas dhe taksapagues të Davidit; Zoti e mbronte Davidin kudo që shkonte.
7. Davidi mori monedhat prej ari që shërbëtorët e Hadadezerit kishin me vete dhe i çoi në Jeruzalem.
8. Mbreti David mori edhe një sasi të madhe bronzi në Betah dhe në Berothai, qytete të Hadedezerit.
9. Kur Toi, mbret i Hamathit, mësoi që Davidi kishte mundur tërë ushtrinë e Hadedezerit,
10. i dërgoi mbretit David të birin Joram, për ta përshëndetur dhe për ta bekuar, sepse i kishte bërë luftë Hadedezerit dhe e kishte mundur. Në fakt Hadedezeri ishte gjithnjë në luftë me Toin; Jorami kishte me vete enë argjendi, ari dhe bronzi.