Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

2 i Samuelit 3:7-23 Bibla Shqip (ALBB)

7. Sauli kishte pasur një konkubinë të quajtur Ritspah, bijë e Ajahut; dhe Ish-Boshethi i tha Abnerit: "Pse ke hyrë te konkubina e atit tim?".

8. Abneri u zemërua shumë nga fjalët e Ish-Boshethit dhe iu përgjigj: "Mos vallë jam një kokë qeni i Judës? Deri më sot jam treguar besnik i shtëpisë së Saulit, atit tënd, i vëllezërve dhe i miqve të saj dhe nuk të kam dorëzuar në duart e Davidit, dhe pikërisht sot ti më qorton për fajin që kam kryer me këtë grua!

9. Perëndia t'i bëjë Abnerit këtë dhe më keq në rast se nuk i bëj Davidit atë që Zoti i është betuar:

10. ta kaloj mbretërinë nga shtëpia e Saulit dhe të vendosë fronin e Davidit mbi Izrael dhe mbi Judën, nga Dani deri në Beer-Sheba".

11. Ish-Boshethi nuk iu përgjigj dot as edhe me një fjalë të vetme Abnerit, sepse ia kishte frikën.

12. Atëherë Abneri i dërgoi në emër të tij lajmëtarë Davidit për t'i thënë: "Kujt i përket vendi? Bëj aleancë me mua dhe dora ime do të jetë me ty për të ta sjellë tërë Izraelin".

13. Davidi iu përgjigj: "Kam diçka për të të kërkuar: Unë do të bëj aleancë me ty, por ti nuk do të ma shohësh fytyrën po nuk më solle më parë Mikalin, bijën e Saulit, kur të vish të më shikosh".

14. Kështu Davidi i dërgoi lajmëtarë Ish-Boshethit, birit të Saulit, për t'i thënë: "Ma kthe bashkëshorten time Mikal, me të cilën u fejova për njëqind lafsha të filistenjve".

15. Ish-Boshethi dërgoi ta marrin te burri i saj Paltiel, bir i Laishit.

16. Burri i saj shkoi me të dhe e ndoqi duke qarë deri në Bahurim. Pastaj Abneri i tha: "Shko, kthehu prapa!". Dhe ai u kthye.

17. Pastaj Abneri u drejtoi fjalën pleqve të Izraelit, duke thënë: "Prej shumë kohe kërkoni Davidin si mbretin tuaj.

18. Tani erdhi koha të veprojmë, sepse Zoti ka folur për Davidin, duke thënë: "Me anë të Davidit, shërbëtorit tim, unë do të shpëtoj popullin tim të Izraelit nga duart e filistenjve dhe nga tërë armiqtë e tij".

19. Abneri foli edhe me ata të Beniaminit. Pastaj Abneri shkoi te Davidi në Hebron për t'i njoftuar tërë ato që iu dukën të mira Izraelit dhe gjithë shtëpisë së Beniaminit.

20. Kështu Abneri arriti te Davidi në Hebron me njëzet njerëz, dhe Davidi shtroi një banket për Abnerin dhe për njerëzit që ishin me të.

21. Pastaj Abneri i tha Davidit: "Unë do të ngrihem dhe do të shkoj të mbledh tërë Izraelin rreth mbretit, zotërisë tim, me qëllim që të lidhin aleancë me ty dhe ti të mund të mbretërosh mbi gjithçka dëshiron zemra jote". Pastaj Davidi u nda me Abnerin, që u largua në paqe.

22. Por ja, shërbëtorët e Davidit dhe Joabi po ktheheshin nga një plaçkitje, duke sjellë me vete një plaçkë të madhe; por Abneri nuk ishte më me Davidin në Hebron, sepse ky ishte ndarë me të dhe ai kishte ikur në paqe.

23. Kur mbërritën Joabi dhe tërë ushtarët që ishin me të, dikush ia tregoi ngjarjen Joabit, duke thënë: "Erdhi Abneri, bir i Nerit, te mbreti; ky u nda me të dhe ai iku në paqe".

Lexoni kapitullin e plotë 2 i Samuelit 3