Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

2 i Samuelit 3:28-39 Bibla Shqip (ALBB)

28. Më vonë Davidi e mësoi këtë ngjarje dhe tha: "Unë dhe mbretëria ime jemi përjetë të pafajshëm përpara Zotit për gjakun e Abnerit, birit të Nerit.

29. Ky gjak rëntë mbi kryet e Joabit dhe mbi tërë shtëpinë e atit të tij; mos iu ndafshin kurrë shtëpisë së Joabit ata që vuajnë nga fluksi apo nga lebra, ata që duhet të mbështeten me shkop, që vdesin nga shpata o që janë pa bukë!".

30. Kështu Joabi dhe Abishai, vëllai i tij, vranë Abnerin, sepse ky kishte vrarë Asahelin, vëllanë e tyre në Gabaon gjatë betejës.

31. Pastaj Davidi i tha Joabit dhe tërë popullit që ishte me të: "Grisni rrobat e trupit, mbështilluni me thasë dhe mbani zi për vdekjen e Abnerit!". Edhe mbreti David shkoi pas arkivolit.

32. Kështu e varrosën Abnerin në Hebron, dhe mbreti ngriti zërin dhe qau përpara varrit të Abnerit; edhe tërë populli qau.

33. Mbreti ia mori një vajtimi për Abnerin dhe tha: "A duhet të vdiste Abneri si vdes një budalla?

34. Duart e tua nuk ishin të lidhura, as këmbët e tua nuk ishin të shtrënguara me zinxhirë prej bronzi! Ti re para keqbërësve".

35. Pastaj tërë populli erdhi për të ftuar Davidin që të hante, sa ishte akoma ditë; por Davidi u betua duke thënë: "Kështu ma bëftë Perëndia madje më keq, po futa në gojë bukë apo ndonjë gjë tjetër para se të perëndojë dielli".

36. Tërë populli e kuptoi dhe e miratoi këtë gjë; çdo gjë që bënte mbreti miratohej nga tërë populli.

37. Kështu tërë populli dhe tërë Izraeli e kuptuan që qëllimi i mbretit nuk ishte aspak ta vriste atë ditë Abnerin, birin e Nerit.

38. Pastaj mbreti u tha shërbëtorëve të tij: "Nuk e dini që një princ dhe një njeri i madh humbi sot jetën në Izrael?

39. Megjithëse jam vajosur mbret, unë jam ende i dobët, ndërsa këta njerëz, bijtë e Tserajahut, janë shumë më të fortë se unë. E shpagoftë Zoti keqbërësin sipas të këqijave që ka bërë".

Lexoni kapitullin e plotë 2 i Samuelit 3