Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

2 i Samuelit 24:1-11 Bibla Shqip (ALBB)

1. Zemërimi i Zotit u ndez përsëri dhe ai nxiti Davidin kundër popullit, duke i thënë: "Shko të bësh regjistrimin e Izraelit dhe të Judës".

2. Kështu mbreti i tha Joabit, komandantit të ushtrisë që ishte me të: "Shko nëpër të gjitha fiset e Izraelit, nga Dani deri në Beer-Sheba, dhe bëni regjistrimin e popullsisë që unë të di numrin e saj".

3. Joabi iu përgjigj mbretit: "Zoti, Perëndia yt, ta shumëzojë popullin njëqind herë më tepër nga ç'është dhe sytë e mbretit, të zotërisë tim, të mund ta shohin këtë gjë. Po pse mbreti, zotëria im, e dëshiron një gjë të tillë?".

4. Megjithatë urdhri i mbretit iu imponua Joabit dhe krerëve të ushtrisë. Kështu Joabi dhe krerët e ushtrisë u larguan nga mbreti dhe shkuan të bëjnë regjistrimin e popullsisë së Izraelit.

5. Ata kaluan Jordanin dhe ngritën kampin e tyre në Aroer, në të djathtë të qytetit që ishte në mes të luginës së Gadit dhe në drejtim të Jezerit.

6. Pastaj shkuan në Galaad dhe në vendin e Tahtim-Hodshit; pastaj vajtën në Dan-Jaan dhe në rrethinat e Sidonit.

7. Shkuan edhe në kalanë e Tiros dhe në të gjitha qytetet e hivenjve dhe të kanaanenjve, dhe arritën në jug të Judës, deri në Beer-Sheba.

8. Kështu përshkuan tërë vendin dhe mbas nëntë muajsh e njëzet ditë u kthyen përsëri në Jeruzalem.

9. Joabi i dorëzoi mbretit shifrën e regjistrimit të popullsisë: kishte në Izrael tetëqind mijë njerëz të fortë, të aftë për të përdorur shpatën, por njerëzit e Judës ishin pesëqind mijë.

10. Por, mbasi bëri regjistrimin e popullsisë, zemra e Davidit e qortoi shumë rëndë atë dhe ai i tha Zotit: "Kam kryer një mëkat shumë të rëndë duke vepruar në këtë mënyrë; por tani, o Zot, shlyej paudhësinë

11. Kur në mëngjes Davidi u ngrit, fjala e Zotit iu drejtua profetit Gad, shikuesit të Davidit, duke thënë:

Lexoni kapitullin e plotë 2 i Samuelit 24