Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

2 i Samuelit 2:1-13 Bibla Shqip (ALBB)

1. Mbas kësaj, Davidi u këshillua me Zotin, duke thënë: "A duhet të shkoj në ndonjë nga qytetet e Judës?". Zoti iu përgjigj: "Shko". Davidi e pyeti: "Ku të shkoj?". Zoti u përgjigj: "Në Hebron".

2. Kështu Davidi shkoi atje me dy gratë e tij, jezreeliten Ahinoam dhe karmelitën Abigail, që kishte qenë gruaja e Nabalit.

3. Davidi çoi edhe njerëzit që ishin me të, secili me familjen e tij, dhe u vendosën në qytetet e Hebronit.

4. Pastaj erdhën njerëzit e Judës dhe e vajosën Davidin mbret të shtëpisë së Judës. Pas kësaj i thanë Davidit se qenë njerëzit e Jabeshit të Galaadit ata që kishin varrosur Saulin.

5. Atëherë Davidi u dërgoi lajmëtarë njerëzve të Jabeshit të Galaadit për t'u thënë: "Qofshi të bekuar nga Zoti për mirësinë që treguat ndaj Saulit, zotërisë suaj, duke e varrosur!

6. Tani Zoti tregoftë mirësi dhe besnikëri ndaj jush. Edhe unë do t'ju bëj të mirë, sepse keni bërë një gjë të tillë.

7. Prandaj le të marrin forcë duart tuaja dhe qofshi trima, sepse Sauli, zotëria juaj, vdiq, por shtëpia e Judës më ka vajosur mbret të saj".

8. Ndërkohë Abneri, bir i Nerit, komandant i ushtrisë së Saulit, mori Ish-Boshethin, birin e Saulit, dhe e çoi në Mahanaim;

9. dhe e bëri mbret të Galaadit, të ashuritëve, të Jezreelit, të Efraimit, të Beniaminit dhe të tërë Izraelit.

10. Ish-Boshethi, bir i Saulit, ishte dyzet vjeç kur filloi të mbretërojë mbi Izrael dhe mbretërimi i tij vazhdoi dy vjet. Por shtëpia e Judës shkonte pas Davidit.

11. Koha që Davidi mbretëroi në Hebron mbi shtëpinë e Judës ishte shtatë vjet e gjashtë muaj.

12. Ndërkaq Abneri, bir i Nerit, dhe shërbëtorët e Ish-Boshethit, birit të Saulit, lëvizën nga Mahanaim në drejtim të Gabaonit.

13. Edhe Joabi, biri i Tserujahut dhe shërbëtorët e Davidit lëvizën dhe i takuan pranë hauzit të Gabaonit. Kështu u ndalën njëra palë nga njëra anë e hauzit dhe tjetra nga ana tjetër.

Lexoni kapitullin e plotë 2 i Samuelit 2