Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

2 i Samuelit 19:7-15 Bibla Shqip (ALBB)

7. Tani, pra, çohu dil dhe foli zemrës së shërbëtorëve të tu, sepse betohem në emër të Zotit se, po nuk dole, asnjeri nuk do të qëndrojë me ty këtë natë; dhe kjo do të ishte fatkeqësia më e madhe që të ka rënë që kur ishe i ri e deri më sot".

8. Atëherë mbreti u ngrit dhe u ul te porta; dhe kjo iu njoftua tërë popullit, duke thënë: "Ja, mbreti është ulur te porta". Kështu tërë populli doli në prani të mbretit. Ndërkaq ata të Izraelit kishin ikur secili në çadrën e vet.

9. Në të gjitha fiset e Izraelit populli i tërë diskutonte dhe thoshte: "Mbreti na çliroi nga duart e armiqve tanë dhe na shpëtoi nga duart e filistenjve; dhe tani i është dashur të ikë nga vendi për shkak të Absalomit.

10. Por Absalomi, të cilin ne e kishim vajosur mbret mbi ne, vdiq në betejë. Dhe tani pse nuk flisni për kthimin e mbretit?".

11. Atëherë mbreti David dërgoi t'u thotë priftërinjve Tsadok dhe Abiathar: "Foluni pleqve të Judës dhe u thoni atyre: "Pse ju duhet të jeni të fundit për kthimin e mbretit në shtëpinë e tij, sepse bisedat e tërë Izraelit kanë arritur deri te mbreti, pikërisht në këtë shtëpi?

12. Ju jeni vëllezër të mi, ju jeni kocka dhe mishi im. Pse duhet të jeni të fundit në kthimin e mbretit?".

13. Dhe i thoni Amasas: "A nuk je ti kocka dhe mishi im? Këtë më bëftë Perëndia, madje edhe më keq, në rast se ti nuk bëhesh përgjithnjë komandanti i ushtrisë në vend të Joabit".

14. Kështu Davidi anoi zemrën e të gjithë njerëzve të Judës, sikur të ishte zemra e një njeriu të vetëm; prandaj ata i dërguan t'i thonë mbretit: "Kthehu ti me gjithë shërbëtorët e tu".

15. Atëherë mbreti u kthye dhe arriti në Jordan; dhe ata të Judës erdhën në Gilgal për t'i dalë përpara mbretit dhe për t'i siguruar kalimin e Jordanit.

Lexoni kapitullin e plotë 2 i Samuelit 19