Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

2 i Samuelit 19:20-29 Bibla Shqip (ALBB)

20. Sepse shërbëtori yt pranon se ka mëkatuar. Dhe ja, sot kam qenë i pari i tërë shtëpisë së Jozefit që i dal përpara mbretit, zotërisë tim".

21. Por Abishai, bir i Tserujahut, filloi të thotë: A nuk duhet të dënohet me vdekje Shimei, sepse ka mallkuar njeriun e vajosur nga Zoti?".

22. Davidi tha: "Ç'marrëdhënie kam unë me ju, bijtë e Tserujahut, që sot u treguat kundërshtarë të mi? A mund ta dënosh sot me vdekje dikë në Izrael? A nuk e di, vallë që sot jam mbret i Izraelit?".

23. Pastaj mbreti i tha Shimeit: "Ti nuk ke për të vdekur!". Dhe mbreti iu betua atij për këtë.

24. Edhe Mefiboshethi, nip i Saulit, i doli përpara mbretit. Ai nuk i kishte mjekuar këmbët, nuk e kishte rruar mjekrën dhe nuk i kishte larë rrobat nga dita që kishte ikur mbreti deri në kthimin e tij në paqe.

25. Kur arriti nga Jeruzalemi për të takuar mbretin, ky i tha: "Pse nuk erdhe me mua, Mefibosheth?".

26. Ai u përgjigj: "O mbret, imzot, shërbëtori im më mashtroi, sepse shërbëtori yt kishte thënë: "Unë do të shaloj gomarin, do të hip mbi të dhe do të shkoj me mbretin", sepse shërbëtori yt është çalaman.

27. Përveç kësaj, ai ka shpifur kundër shërbëtorit tënd pranë mbretit, zotërisë sime; por mbreti, zotëria im, është si një engjëll i Perëndisë; bëj, pra, atë që do të të pëlqejë.

28. Në fakt tërë ata të shtëpisë së atit tim nuk meritojnë tjetër gjë veç vdekjes përpara mbretit, zotërisë tim; megjithatë ti e kishe caktuar shërbëtorin tënd ndër ata që hanin në tryezën tënde. Prandaj çfarë të drejte tjetër do të kisha për t'i bërtitur mbretit?".

29. Mbreti i tha: "Nuk është nevoja të shtosh fjalë të tjera. Unë kam vendosur; Ti dhe Tsiba ndajini tokat".

Lexoni kapitullin e plotë 2 i Samuelit 19