Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

2 i Samuelit 17:1-10 Bibla Shqip (ALBB)

1. Pastaj Ahithofeli i tha Absalomit: "Lërmë të zgjedh dymbëdhjetë mijë njerëz, dhe të nisem që sonte e ta ndjek Davidin;

2. duke e sulmuar sa është i lodhur dhe i dobët; do ta tremb dhe gjithë njerëzit që janë me të do të ikin; kështu do të mund të godas vetëm mbretin,

3. dhe tërë popullin do ta kthej te ti. Vdekja e njeriut që ti kërkon do të favorizojë kthimin e të gjithëve; kështu tërë populli do të jetë në paqe".

4. Ky propozim u pëlqeu Absalomit dhe të gjithë pleqve të Izraelit.

5. Megjithatë Absalomi tha: "Thirrni edhe arkitin Hushai dhe të dëgjojmë çfarë ka për të thënë për këtë çështje".

6. Kur Hushai erdhi tek Absalomi, ky i tha: "Ahithofeli ka folur në këtë mënyrë; a duhet të veprojmë si ka thënë ai? Përndryshe, bëj një propozim ti!".

7. Hushai iu përgjigj Absalomit: "Këtë radhë këshilla e dhënë nga Ahithofeli nuk është e mirë".

8. Hushai shtoi: "Ti e njeh atin tënd dhe njerëzit e tij që janë trima dhe të egërsuar në kulm, si një arushë në fushë së cilës ia kanë marrë këlyshët; përveç kësaj ati yt është një luftëtar dhe nuk ka për ta kaluar natën me popullin.

9. Me siguri në këtë orë ai është fshehur në ndonjë vrimë ose në ndonjë vend tjetër; në qoftë se në fillim do të hidhet mbi disa nga njerëzit e tu, kushdo që do ta mësojë ka për të thënë: "Midis njerëzve që ndiqnin Absalomin ndodhi një masakër".

10. Atëherë edhe më trimi, edhe sikur të kishte zemër luani, do të dëshpërohej shumë, sepse tërë Izraeli e di që yt atë është trim dhe që njerëzit që e shoqërojnë janë trima.

Lexoni kapitullin e plotë 2 i Samuelit 17