Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

2 i Samuelit 15:3-21 Bibla Shqip (ALBB)

3. Atëherë Absalomi i thoshte: "Shiko, argumentet e tua janë të mira dhe të drejta, por nuk ka njeri nga ana mbretit që të të dëgjojë".

4. Pastaj Absalomi shtonte: "Sikur të më bënin mua gjyqtar të vendit, kushdo që të kishte një proces apo një çështje do të vinte tek unë dhe unë do t'i siguroja drejtësi".

5. Kur dikush afrohej për të rënë përmbys përpara tij, ai shtrinte dorën, e merrte dhe e puthte.

6. Absalomi sillej kështu me të gjithë ata të Izraelit që vinin te mbreti për të kërkuar drejtësi; në këtë mënyrë Absalomi fitoi zemrën e njerëzve të Izraelit.

7. Ndodhi që, pas katër vjetëve, Absalomi i tha mbretit: "Të lutem, lërmë të shkoj në Hebron për të përmbushur një kusht që kam lidhur me Zotin.

8. Sepse gjatë qëndrimit të tij në Geshur të Sirisë, shërbëtori yt ka lidhur një kusht duke thënë: "Në rast se Zoti më kthen në Jeruzalem, unë do t'i shërbejë Zotit!".

9. Mbreti i tha: "Shko në paqe!". Atëherë ai u ngrit dhe vajti në Hebron.

10. Pastaj Absalomi dërgoi emisarë ndër të gjitha fiset e Izraelit për të thënë: "Kur të dëgjoni tingullin e borisë, do të thoni: "Absalomi u shpall mbret në Hebron".

11. Me Absalomin u nisën nga Jeruzalemi dyqind njerëz si të ftuar; ata shkuan pa të keq, pa ditur gjë.

12. Absalomi, ndërsa ofronte flijimet, dërgoi të thërrasë nga qyteti i tij Gjiloh Ahithofelin, gilonitin, këshilltarin e Davidit. Kështu komploti bëhej më i fortë, sepse populli shtohej rreth Absalomit.

13. Pastaj arriti te Davidi një lajmëtar për të thënë: "Zemra e njerëzve të Izraelit ndjek Absalomin".

14. Atëherë Davidi u tha gjithë shërbëtorëve të tij që ishin me të në Jeruzalem: "Çohuni dhe t'ia mbathim; përndryshe asnjeri prej nesh nuk ka për të shpëtuar nga duart e Absalomit. Nxitoni të ikni, që të mos na kapë në befasi dhe të bjerë mbi ne shkatërrimi, dhe të mos godasë qytetin me majën e shpatës".

15. Shërbëtorët e mbretit i thanë: "Ja, shërbëtorët e tu janë gati të bëjnë gjithçka që i pëlqen mbretit, zotërisë tonë".

16. Kështu mbreti u nis, i ndjekur nga tërë shtëpia e tij, por la dhjetë konkubina për të ruajtur pallatin.

17. Mbreti u nis, i ndjekur nga tërë populli, që u ndal te shtëpia e fundit.

18. Tërë shërbëtorët e mbretit kalonin përpara dhe pranë tij; tërë kerethenjtë, tërë pelethenjtë dhe tërë gitenjtë, gjithsej gjashtëqind veta që e kishin ndjekur nga Gathi, ecnin para mbretit.

19. Atëherë mbreti i tha Itait nga Gathi: "Pse vjen edhe ti me ne? Kthehu dhe rri me mbretin, sepse ti je i huaj dhe për më tepër i mërguar nga atdheu yt.

20. Ti ke arritur vetëm dje dhe sot do të të duhej të endesh sa andej e këtej, kur unë vetë nuk e di se ku po shkoj? Kthehu prapa dhe kthe me vëllezërit e tu në mirësi dhe në besnikëri".

21. Por Itai iu përgjigj mbretit duke thënë: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron dhe që jeton mbreti, zotëria im, në çdo vend që të jetë mbreti, zotëria im, për të vdekur ose për të jetuar, aty do të jetë edhe shërbëtori yt".

Lexoni kapitullin e plotë 2 i Samuelit 15