22. Atëherë Davidi i tha Itait: "Shko përpara dhe vazhdo". Kështu Itai, giteu, shkoi tutje me gjithë njerëzit e tij dhe tërë fëmijët që ishin me të.
23. Tërë banorët e vendit qanin me zë të lartë, ndërsa tërë populli kalonte. Mbreti kapërceu përruan e Kidronit dhe tërë populli kaloi në drejtim të shkretëtirës.
24. Dhe ja po vinte edhe Tsadoku me tërë levitët, të cilët mbanin arkën e besëlidhjes së Perëndisë Ata e vendosën arkën e Perëndisë dhe Abiathari ofroi flijime, derisa tërë populli mbaroi daljen nga qyteti.
25. Pastaj mbreti i tha Tsadokut: "Çoje në qytet arkën e Perëndisë! Po të kem gjetur hirin e Zotit, ai do të më kthejë dhe do të bëjë që ta shoh përsëri qytetin bashkë me banesën e tij.
26. Por në rast se thotë: "Nuk të pëlqej", ja ku jam, le të më bëjë atë që i pëlqen"..
27. Mbreti i tha akoma priftit Tsadok: "A nuk je ti shikues? Kthehu në paqe në qytet me dy bijtë tuaj: Ahimaatsin, birin tënd, dhe me Jonathanin, birin e Abiatharit.
28. Shikoni, unë do të pres në fushat e shkretëtirës, derisa të më vijë nga ana juaj ndonjë fjalë për të më njoftuar".
29. Kështu Tsadoku dhe Abiathari e çuan përsëri në Jeruzalem arkën e Perëndisë dhe qëndruan aty.
30. Davidi mori të përpjetën e Malit të Ullinjve dhe, duke u ngjitur, qante; ecte kokëmbuluar dhe këmbëzbathur. Dhe tërë njerëzit që ishin me të ishin kokëmbuluar dhe qanin duke u ngjitur.
31. Dikush erdhi t'i thotë Davidit: "Ahithofeli figuron me Absalomin në mes të komplotistëve". Davidi tha: "O Zot, të lutem, bëji të kota këshillat e Ahithofelit!".
32. Kur Davidi arriti në majë të malit; ku adhuroi Perëndinë, ja që doli përpara Hushai, arkiti, me rroba të grisura dhe kokën të mbuluar me dhe.
33. Davidi i tha: "Po të jetë se vazhdon rrugën me mua, do të më bëhesh barrë;
34. por në rast se kthehesh në qytet dhe i thua Absalomit: "Unë do të jem shërbëtori yt, o mbret; ashtu si kam qenë shërbëtor i atit tënd në të kaluarën, kështu do të jem shërbëtori yt"; ti do ta bësh të kotë në favorin tim këshillën e Ahithofelit.
35. Nuk do të kesh atje pranë teje priftërinjtë Tsadok dhe Abiathar? Të gjitha ato që do të dëgjosh që të thuhen nga ana e shtëpisë së mbretit, do t'ua bësh të njohura priftërinjve Tsadok dhe Abiathar.
36. Ja, ata kanë atje me vete dy bijtë e tyre, Ahimaatsin, birin e Tsadokut, dhe Jonathanin, birin e Abiatharit; me anë të tyre do të më njoftoni të gjitha ato që do të dëgjoni".
37. Kështu Hushai, miku i Davidit, u kthye në qytet dhe Absalomi hyri në Jeruzalem.