Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

2 i Samuelit 15:10-22 Bibla Shqip (ALBB)

10. Pastaj Absalomi dërgoi emisarë ndër të gjitha fiset e Izraelit për të thënë: "Kur të dëgjoni tingullin e borisë, do të thoni: "Absalomi u shpall mbret në Hebron".

11. Me Absalomin u nisën nga Jeruzalemi dyqind njerëz si të ftuar; ata shkuan pa të keq, pa ditur gjë.

12. Absalomi, ndërsa ofronte flijimet, dërgoi të thërrasë nga qyteti i tij Gjiloh Ahithofelin, gilonitin, këshilltarin e Davidit. Kështu komploti bëhej më i fortë, sepse populli shtohej rreth Absalomit.

13. Pastaj arriti te Davidi një lajmëtar për të thënë: "Zemra e njerëzve të Izraelit ndjek Absalomin".

14. Atëherë Davidi u tha gjithë shërbëtorëve të tij që ishin me të në Jeruzalem: "Çohuni dhe t'ia mbathim; përndryshe asnjeri prej nesh nuk ka për të shpëtuar nga duart e Absalomit. Nxitoni të ikni, që të mos na kapë në befasi dhe të bjerë mbi ne shkatërrimi, dhe të mos godasë qytetin me majën e shpatës".

15. Shërbëtorët e mbretit i thanë: "Ja, shërbëtorët e tu janë gati të bëjnë gjithçka që i pëlqen mbretit, zotërisë tonë".

16. Kështu mbreti u nis, i ndjekur nga tërë shtëpia e tij, por la dhjetë konkubina për të ruajtur pallatin.

17. Mbreti u nis, i ndjekur nga tërë populli, që u ndal te shtëpia e fundit.

18. Tërë shërbëtorët e mbretit kalonin përpara dhe pranë tij; tërë kerethenjtë, tërë pelethenjtë dhe tërë gitenjtë, gjithsej gjashtëqind veta që e kishin ndjekur nga Gathi, ecnin para mbretit.

19. Atëherë mbreti i tha Itait nga Gathi: "Pse vjen edhe ti me ne? Kthehu dhe rri me mbretin, sepse ti je i huaj dhe për më tepër i mërguar nga atdheu yt.

20. Ti ke arritur vetëm dje dhe sot do të të duhej të endesh sa andej e këtej, kur unë vetë nuk e di se ku po shkoj? Kthehu prapa dhe kthe me vëllezërit e tu në mirësi dhe në besnikëri".

21. Por Itai iu përgjigj mbretit duke thënë: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron dhe që jeton mbreti, zotëria im, në çdo vend që të jetë mbreti, zotëria im, për të vdekur ose për të jetuar, aty do të jetë edhe shërbëtori yt".

22. Atëherë Davidi i tha Itait: "Shko përpara dhe vazhdo". Kështu Itai, giteu, shkoi tutje me gjithë njerëzit e tij dhe tërë fëmijët që ishin me të.

Lexoni kapitullin e plotë 2 i Samuelit 15