Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

2 i Samuelit 13:26-36 Bibla Shqip (ALBB)

26. Atëherë Absalomi i tha: "Në rast se nuk do të vish ti, të lutem, lejo Amnonin, vëllanë tim, të vijë me ne". Mbreti iu përgjigj: "Pse duhet të vijë me ty?".

27. Por Absalomi nguli këmbë aq shumë sa që Davidi lejoi të shkojnë bashkë me të Amnonin dhe gjithë bijtë e mbretit.

28. Absalomi u kishte dhënë këtë urdhër shërbëtorëve të tij, duke thënë: "Hapni sytë, kur Amnoni të jetë dehur nga vera dhe unë t'ju them: "Goditeni Amnonin!", ju vriteni dhe mos kini frikë. A nuk jam unë që ju urdhëroj? Bëhuni trima dhe tregohuni të fortë!".

29. Kështu shërbëtorët e Absalomit vepruan kundër Amnonit, ashtu si kishte urdhëruar Absalomi. Atëherë tërë bijtë e mbretit u ngritën, hipën secili mbi mushkën e vet dhe ua mbathën.

30. Ndërsa ishin akoma rrugës, Davidit i arriti ky lajm: "Absalomi ka vrarë tërë bijtë e mbretit dhe nuk ka shpëtuar asnjëri prej tyre".

31. Atëherë mbreti u ngrit, grisi rrobat e tij dhe u shtri për tokë; dhe të gjithë shërbëtorët e tij, i rrinin rrotull, me rrobat e grisura.

32. Por Jonadabi, bir i Shimeahut dhe vëlla i Davidit, tha: "Të mos mendojë zotëria im që tërë të rinjtë, bijtë e mbretit, u vranë; Amnoni është i vetmi që vdiq. Me urdhër të Absalomit kjo gjë u vendos që ditën që Amnoni poshtëroi motrën e tij Tamara.

33. Prandaj mbreti, zotëria im, të mos hidhërohet duke menduar se të gjithë bijtë e mbretit kanë vdekur; vetëm Amnoni ka vdekur,

34. dhe Absalomi ka ikur". Ndërkaq i riu që bënte roje ngriti sytë, shikoi, dhe ja, një turmë e madhe njerëzish vinte nga rruga prapa tij, nga ana e malit.

35. Jonadabi i tha mbretit: "Ja bijtë e mbretit që po vijnë! Gjendja është pikërisht ashtu siç tha shërbëtori yt".

36. Sa e mbaroi fjalën, arritën bijtë e mbretit, të cilët e ngritën zërin dhe filluan të qajnë; edhe mbreti dhe tërë shërbëtorët e tij filluan të qajnë me të madhe.

Lexoni kapitullin e plotë 2 i Samuelit 13