Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

2 i Samuelit 12:16-27 Bibla Shqip (ALBB)

16. Atëherë Davidi iu lut Perëndisë për fëmijën dhe agjëroi; pastaj hyri në shtëpi dhe e kaloi natën i shtrirë për tokë.

17. Pleqtë e shtëpisë së tij ngulën këmbë që ai të ngrihej nga toka, por ai nuk deshi dhe nuk pranoj të hante me ta.

18. Ditën e shtatë fëmija vdiq dhe shërbëtorët e Davidit kishin frikë t'i njoftonin që fëmija kishte vdekur, sepse thoshin: "Ja, kur fëmija ishte akoma i gjallë, ne i kemi folur, por ai nuk i dëgjonte fjalët tona. Si të bëjmë tani për t'i thënë se fëmija ka vdekur? Kjo mund t'i shkaktojë ndonjë të keqe".

19. Kur Davidi pa që shërbëtorët e tij flisnin me zë të ulët, e kuptoi se fëmija kishte vdekur; prandaj Davidi u tha shërbëtorëve të tij: "Ka vdekur fëmija?". Ata u përgjigjën: "Ka vdekur".

20. Atëherë Davidi u ngrit nga toka, u la, u vajos dhe ndërroi rrobat; pastaj shkoi në shtëpinë e Zotit dhe ra përmbys; pastaj u kthye në shtëpinë e tij dhe kërkoi t'i sillnin ushqim dhe hëngri.

21. Shërbëtorët e tij i thanë: "Ç'bëre? Kur fëmija ishte akoma gjallë ti ke agjëruar dhe ke qarë; mbas vdekjes së fëmijës, u ngrite dhe hëngre".

22. Ai u përgjigj: "Kur fëmija ishte akoma gjallë, unë agjëroja dhe qaja, sepse thosha: "Kushedi Zotit mund t'i vijë keq për mua dhe e lë fëmijën të jetojë?". Por tani ai ka vdekur. Pse duhet të agjëroj?

23. Vallë, a kam mundësi ta kthej? Unë do të shkoj tek ai, por ai nuk do të kthehet tek unë!".

24. Pastaj Davidi ngushëlloi Bath-Shebën, bashkëshorten e tij, hyri tek ajo dhe ra në shtrat me të; kështu ajo lindi një djalë, që ai e quajti Salomon; dhe Zoti e deshi.

25. Pastaj dërgoi një mesazh me anë të profetit Nathan që i vuri emrin Jedidiah, për shkak të dashurisë të Zotit.

26. Ndërkaq Joabi luftonte kundër Rabahut të bijve të Amonit dhe pushtoi qytetin mbretëror.

27. Pastaj Joabi i dërgoi lajmëtarë Davidit për t'i thënë: "Kam sulmuar Rabahun dhe kam shtënë në dorë rezervat e tij të ujit.

Lexoni kapitullin e plotë 2 i Samuelit 12