Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

2 i Mbretërve 9:12-22 Bibla Shqip (ALBB)

12. Por ata thanë: "S'është e vërtetë! Na e thuaj, pra!". Jehu u përgjigj: "Ai më tha kështu e ashtu, duke deklaruar: Kështu thotë Zoti: "Unë të vajos mbret të Izraelit"".

13. Atëherë ata shpejtuan të merrnin secili mantelin e tij dhe ta shtrijnë poshtë tij në po ato shkallëza; pastaj i ranë borisë dhe thanë: "Jehu është mbret!".

14. Kështu Jehu, bir i Josafatit, që ishte i biri i Nimshit, kurdisi një komplot kundër Joramit. (Por Jorami, me tërë Izraelin, ishte duke mbrojtur Ramothin e Galaadit kundër Hazaelit, mbretit të Sirisë;

15. pastaj mbreti Joram ishte kthyer nga Jezreeli për të shpëtuar plagët që i kishin shkaktuar sirët ndërsa luftonte kundër Hazaelit, mbretit të Sirisë). Jehu tha: "Në rast se mendoni në të njëjtën mënyrë, asnjeri të mos dalë nga qyteti për të njoftuar Jezreelin".

16. Pastaj Jehu hipi mbi një qerre dhe u nis për në Jezreel, sepse aty ndodhej i sëmurë Jorami, dhe Ashaziahu, mbret i Judës, kishte zbritur për të vizituar Joramin.

17. Roja që rrinte mbi kullën e Jezreelit vuri re ushtrinë e madhe të Jehut që vinte dhe tha: "Shoh një grumbull të madh!". Jorami urdhëroi: "Merr një kalorës dhe çoje t'i takojë për t'i pyetur: "A sillni paqen?"".

18. Atëherë një njeri i hipur mbi kalë u doli përpara dhe u tha: "Kështu pyet mbreti: "A sillni paqe?"". Jehu u përgjigj: "Ç'të hyn në punë paqja? Kalo prapa dhe ndiqmë". Roja njoftoi duke thënë: "Lajmëtari arriti tek ata, por nuk po kthehet".

19. Atëherë Jorami dërgoi një kalorës të dytë, i cili me të arritur tek ata, tha: "Kështu pyet mbreti: "A sillni paqen?". Jehu u përgjigj: "Ç'të hyn në punë paqja? Kalo prapa dhe ndiqmë".

20. Roja njoftoi duke thënë: "Lajmëtari ka arritur tek ata, por nuk po kthehet. Mënyra e të ngarit të qerres është ajo e Jehut, birit të Nimshit, sepse e nget si i çmendur".

21. Atëherë Jorami tha: "Përgatitni qerren!". Kështu i përgatitën qerren. Pastaj Jorami, mbret i Izraelit dhe Ashaziahu, mbret i Judës, dolën secili me qerren e vet për t'i dalë përpara Jehut dhe e gjetën në fushën e Nabothit të Jezreelit.

22. Kur Jorami pa Jehun, i tha: "A sjell paqen, Jehu?". Jehu u përgjigj: "Ç'paqe mund të ketë derisa vazhdojnë kurvëritë e nënës sate Jezebel dhe magjitë e shumta të saj?".

Lexoni kapitullin e plotë 2 i Mbretërve 9