Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

2 i Mbretërve 9:1-13 Bibla Shqip (ALBB)

1. Atëherë profeti Eliseu thirri një nga dishepujt e profetëve dhe i tha: "Ngjesh brezin, merr me vete këtë enë të vogël me vaj dhe shko në Ramoth të Galaadit.

2. Kur të arrish aty, kërko të takosh Jehun, birin e Jozafatit, që është bir i Nimshit; hyrë në dhomë, merre nga mesi i vëllezërve të tij dhe çoje në një dhomë të veçantë.

3. Do të marrësh pastaj enën e vogël me vaj dhe do ta derdhësh mbi kokën e tij, duke thënë: Kështu thotë Zoti: "Unë të vajos mbret të Izraelit". Pastaj hape portën dhe mbathja pa humbur kohë".

4. Atëherë i riu, shërbëtori i profetit, u nis për në Ramoth të Galaadit.

5. Kur arriti aty, i gjeti kapitenët e ushtarët të ulur bashkë dhe tha: "Kam një kumtesë për ty, o kapiten". Jehu e pyeti: "Për cilin prej nesh?". Ai u përgjigj: "Për ty, kapiten".

6. Atëherë u ngrit dhe hyri në shtëpi; i riu i derdhi vajin mbi kryet, duke i thënë: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: "Unë të vajos mbret të popullit të Zotit, të Izraelit.

7. Ti do të godasësh shtëpinë e Ashabit, zotit sate, kështu do të marr hak për gjakun që kanë derdhur profetët, shërbëtorë të mi, dhe për gjakun e tërë shërbëtorëve të Zotit, që është derdhur nga dora e Jezebelit.

8. Tërë shtëpia e Ashabit do të shuhet dhe unë do të shfaros nga kjo shtëpi tërë meshkujt, skllevër apo të lirë, që janë në Izrael.

9. Kështu do ta katandis shtëpinë e Ashabit si shtëpinë e Joreboamit, birit të Nebatit, dhe si atë të Baashas, birit të Ahijahut.

10. Qentë do të hanë Jezebelin në fushën e Jezreelit, dhe nuk do të ketë njeri që ta varrosë"". Pastaj i riu hapi portën dhe iku me vrap.

11. Kur Jehu doli nga shërbëtorët e zotit të tij, një nga këta e pyeti: "A shkon çdo gjë mirë? Pse ai i marrë erdhi te ty?". Ai u përgjigj: "Ju e njihni njeriun dhe fjalët e tij!".

12. Por ata thanë: "S'është e vërtetë! Na e thuaj, pra!". Jehu u përgjigj: "Ai më tha kështu e ashtu, duke deklaruar: Kështu thotë Zoti: "Unë të vajos mbret të Izraelit"".

13. Atëherë ata shpejtuan të merrnin secili mantelin e tij dhe ta shtrijnë poshtë tij në po ato shkallëza; pastaj i ranë borisë dhe thanë: "Jehu është mbret!".

Lexoni kapitullin e plotë 2 i Mbretërve 9