Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

2 i Mbretërve 4:19-36 Bibla Shqip (ALBB)

19. i tha të atit: "Koka ime, koka ime!". I ati urdhëroi shërbëtorin e tij: "Çoje tek e ëma!".

20. Ky e mori dhe e çoi tek e ëma. Fëmija qëndroi në prehrin e saj deri në mesditë, pastaj vdiq.

21. Atëherë ajo u ngjit, u shtri në shtratin e njeriut të Perëndisë, mbylli portën prapa tij dhe doli.

22. Pastaj thirri burrin e saj dhe i tha: "Të lutem, më dërgo një nga shërbëtorët e tu dhe një gomare; po vrapoj te njeriu i Perëndisë dhe po kthehem".

23. Ai e pyeti: "Pse dëshiron të shkosh tek ai pikërisht sot? Nuk është as dita e hënës së re, as e shtuna". Ajo u përgjigj: "Çdo gjë do të shkojë mbarë!".

24. Pastaj vuri t'i shalojnë gomaren dhe urdhëroi shërbëtorin e vet: "Më udhëhiq dhe shko përpara; mos e ngadalëso hapin për mua, veçse po ta urdhërova unë".

25. Kështu ajo u nis dhe shkoi te njeriu i Perëndisë, në malin Karmel. Sa e pa njeriu i Perëndisë nga larg, i tha Gehazit, shërbëtorit të tij: "Ja, shunamitja!

26. Të lutem, shko ta takosh dhe i thuaj: "A je mirë? A është mirë burri yt? Dhe fëmija a është mirë?"". Ajo u përgjigj: "Janë mirë".

27. Kur arriti te njeriu i Perëndisë në mal, i përqafoi këmbët. Gehazi u afrua për ta larguar, por njeriu i Perëndisë i tha: "Lëre të qetë, sepse e ka shpirtin të trishtuar, dhe Zoti ma ka fshehur dhe nuk ma ka treguar".

28. Ajo tha: "A i kisha kërkuar, vallë një bir zotit tim? A nuk të kisha thënë vallë: "Mos më gënje"?".

29. Atëherë Eliseu i tha Gehazit: "Ngjeshe brezin, merr në dorë bastunin tim dhe nisu. Në qoftë se takon ndonjë njeri, mos e përshëndet; dhe në qoftë se dikush të përshëndet, mos iu përgjigj: do ta vendosësh bastunin tim mbi fytyrën e fëmijës".

30. E ëma e fëmijës i tha Eliseut: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron dhe që edhe ti rron, unë nuk do të të lë". Kështu Eliseu u ngrit dhe i shkoi pas.

31. Gehazi i kishte paraprirë dhe kishte vënë bastunin mbi fytyrën e fëmijës, por nuk pati as zë as përgjigje. Prandaj ai u kthye të takohet me Eliseun dhe i tregoi atë që i kishte ndodhur, duke i thënë: "Fëmija nuk u zgjua".

32. Kur Eliseu hyri në shtëpi, e pa fëmijën të vdekur dhe të shtrirë në shtratin e tij.

33. Atëherë ai hyri, mbylli derën pas atyre të dyve dhe iu lut Zotit.

34. Pastaj hipi mbi shtratin dhe u shtri mbi fëmijën; vuri gojën e vet mbi gojën e tij, duart e veta mbi duart e tij; u shtri mbi të dhe mishi i fëmijës filloi të ngrohet.

35. Pastaj Eliseu u tërhoq prapa dhe shkoi sa andej e këtej nëpër shtëpi; pas kësaj u ngjit përsëri dhe u shtri mbi fëmijën; fëmija teshtiu shtatë herë dhe hapi sytë.

36. Atëherë ai thirri Gehazin dhe i tha: "Thirre shunamiten". Ai e thirri; kur ajo arriti tek Eliseu, ky i tha: "Merre djalin tënd".

Lexoni kapitullin e plotë 2 i Mbretërve 4