Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

2 i Mbretërve 3:1-14 Bibla Shqip (ALBB)

1. Jehorami, bir i Ashabit, filloi të mbretërojë mbi Izraelin në Samari vitin e tetëmbëdhjetë të Jozafatit, mbretit të Judës, dhe mbretëroi dymbëdhjetë vjet me radhë.

2. Ai bëri atë që është e keqe për sytë e Zotit, por jo si i ati i tij dhe nëna e tij, sepse hoqi shtyllën e Baalit, të ndërtuar nga i ati.

3. Megjithatë ai mbeti i lidhur me mëkatet e Jeroboamit, birit të Nebatit, që e kishte bërë Izraelin të mëkatojë, dhe nuk u shkëput nga ato.

4. Mesha, mbret i Moabit, ishte një rritës dhensh dhe i paguante mbretit të Izraelit një haraç prej njëqind mijë qengjash dhe leshin e njëqind mijë deshve.

5. Por me vdekjen e Ashabit, mbretit të Moabit u rebelua kundër mbretit të Izraelit.

6. Atëherë mbreti Jehoram doli nga Samaria dhe kërkoi të mblidhet tërë Izraeli;

7. pastaj u nis dhe i çoi fjalë Jozafatit, mbretit të Judës: "Mbreti i Moabit ka ngritur krye kundër meje; a do të vish me mua për të luftuar kundër Moabit?". Ai u përgjigj: "Do të vij, ki besim tek unë ashtu si ke besim tek vetja jote, te populli im ashtu si te populli yt, te kuajt e mi ashtu si te kuajt e tu".

8. Pastaj pyeti: "Nëpër çfarë rruge do të shkojmë?". Jehorami u përgjigj: "Nga rruga e shkretëtirës së Edomit".

9. Kështu mbreti i Izraelit, mbreti i Judës dhe mbreti i Edomit filluan marshimin; mbasi ecën përqark shkretëtirës shtatë ditë, filloi t'i mungojë uji ushtrisë dhe kafshëve që e ndiqnin.

10. Atëherë mbreti i Izraelit tha: "Sa keq! Zoti i ka thirrur bashkë këta tre mbretër për t'i dorëzuar në duart e Moabit!".

11. Por Jozafati pyeti: "A ka këtu ndonjë profet të Zotit me anë të të cilit mund të këshillohemi me Zotin?". Njëri nga shërbëtorët e mbretit të Izraelit u përgjigj dhe tha: "Kemi këtu Eliseun, birin e Shafatit, i cili derdhte ujë mbi duart e Elias".

12. Jozafati tha: "Fjala e Zotit është me të". Kështu mbreti i Izraelit, Jozafati dhe mbreti i Edomit zbritën drejt tij.

13. Por Eliseu i tha mbretit të Izraelit: "Ç'punë kam unë me ty? Shko te profetët e atit tënd dhe të nënës sate!". Mbreti i Izraelit iu përgjigj: "Jo, sepse Zoti i ka thirrur bashkë të këta tre mbretër për t'i dorëzuar në duart e Moabit".

14. Atëherë Eliseu tha: "Ashtu siç është e vërtetë që rron Zoti i ushtrive, në prani të të cilit ndodhem unë, po të mos ishte për respektin që kam për Jozafatin, mbretin e Judës, nuk do të isha kujdesur aspak për ty dhe nuk do të të kisha begenisur as edhe me një shikim.

Lexoni kapitullin e plotë 2 i Mbretërve 3