Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

2 i Mbretërve 23:5-15 Bibla Shqip (ALBB)

5. Ai zhduku gjithashtu priftërinjtë idhujtarë që mbretërit e Judës kishin caktuar për të djegur temjan në vendet e larta të qyteteve të Judës e në rrethinat e Jeruzalemit, dhe ata që i digjnin temjan Baalit, diellit, hënës, shenjave të zodiakut dhe gjithë ushtrisë së qiellit.

6. E çoi Asherahun nga shtëpia e Zotit jashtë Jeruzalemit në përruan e Kidronit; e dogji pranë përroit Kidron, e bëri hi dhe hirin e tij e hodhi mbi varret e njerëzve të popullit.

7. Shembi edhe shtëpitë e njerëzve që merreshin me kurvërinë e shenjtë dhe që ndodheshin në shtëpinë e Zotit, ku gratë endnin çadra për Asherahun.

8. Solli tërë priftërinjtë nga qytetet e Judës dhe përdhosi vendet e larta ku priftërinjtë kishin djegur temjan, nga Geba deri në Beer-Sheba. Rrëzoi gjithashtu vendet e larta të portave, që ishin në hyrje të portës së Jozueut guvernator i qytetit, që ishin në të majtë të atij që hyn në portën e qytetit.

9. Megjithatë priftërinjtë e vendeve të larta nuk u ngjitën në altarin e Zotit në Jeruzalem, por hëngrën bukë të ndorme në mes të vëllezërve të tyre.

10. Përveç kësaj ai përdhosi Tofethin, që ndodhej në luginën e bijve të Hinomit, me qëllim që asnjëri të mos kalonte birin apo bijën e tij nëpër zjarr për nder të Molekut.

11. Pastaj ai hoqi kuajt që mbretërit e Judës i kishin kushtuar diellit në hyrje të shtëpisë të Zotit, pranë dhomës së eunukut Nethan-Melek, që ndodhej në oborr; dhe u vuri flakën qerreve të diellit.

12. Mbreti shembi altarët që ishin mbi tarracën e dhomës së sipërme të Ashazit dhe që mbretërit e Judës kishin ndërtuar, si dhe altarët që Manasi kishte bërë në dy oborret e shtëpisë të Zotit, i bëri copë-copë dhe hodhi pluhurin e tyre në përruan e Kidronit.

13. Mbreti përdhosi gjithashtu vendet e larta që ishin përballë Jeruzalemit; në jug të malit të korruptimit, që Salomoni, mbret i Izraelit, kishte ndërtuar për Ashtorethin, të neveritshmin e sidonitëve, për Kemoshin, të neveritshmin e Moabit dhe për Milkomin, të neveritshmin e bijve të Amonit.

14. Ai i bëri copë-copë edhe shtyllat e shenjta, rrëzoi Ashërimet dhe mbushi vendet e tyre me kocka njerëzore.

15. Rrëzoi gjithashtu altarin që ishte në Bethel dhe vendin e lartë të ndërtuar nga Jeroboami, bir i Nebatit që e kishte bërë Izraelin të mëkatonte; e dogji vendin e lartë sa e bëri pluhur; dogji edhe Asherahun.

Lexoni kapitullin e plotë 2 i Mbretërve 23