Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

2 i Mbretërve 23:18-28 Bibla Shqip (ALBB)

18. Ai tha: "Lëreni; asnjeri të mos prekë kockat e tij!". Kështu ata i lanë kockat e tij së bashkë me kockat e profetit që kishte ardhur nga Samaria.

19. Josia hoqi gjithashtu tërë tempujt e vendeve të larta që ishin në qytetin e Samarisë dhe që mbretërit e Izraelit kishin ndërtuar për të nxitur zemërimin e Zotit. Ai u bëri pikërisht atë që kishte bërë në Bethel.

20. Flijoi mbi altarët tërë priftërinjtë e vendeve të larta që ishin aty dhe dogji aty kocka njerëzore. Pastaj u kthye në Jeruzalem.

21. Mbreti i dha tërë popullit këtë urdhër: "Kremtoni Pashkën për nder të Zotit, Perëndisë tuaj, ashtu siç është shkruar në këtë libër të besëlidhjes".

22. Me siguri një Pashkë e tillë nuk ishte kremtuar kështu nga koha e gjyqtarëve që e kishin qeverisur Izraelin, dhe as në tërë kohën e mbretërve të Izraelit dhe të mbretërve të Judës.

23. Por në vitin e tetëmbëdhjetë të mbretit Josia kjo Pashkë u kremtua për nder të Zotit në Jeruzalem.

24. Josia eliminoi edhe mediumët dhe magjistarët, hyjnitë familjare dhe idhujt, si dhe të gjitha shkeljet e neveritshme që shiheshin në vendin e Judës dhe në Jeruzalem, për të zbatuar në praktikë fjalët e ligjit, të shkruara në librin që prifti Hilkiah kishte gjetur në shtëpinë e Zotit.

25. Para tij nuk pati asnjë mbret që, si ai, t'i ishte kthyer Zotit me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me gjithë forcën, sipas tërë ligjit të Moisiut; as pas tij nuk ka dalë ndonjë si ai.

26. Megjithatë Zoti nuk e fashiti zemërimin e tij të zjarrtë që e kishte përfshirë kundër Judës, për shkak të gjithë provokimeve të kryera nga Manasi.

27. Kështu Zoti tha: "Do ta largoj edhe Judën nga prania ime, ashtu si largova Izraelin, dhe do ta flak këtë qytet, Jeruzalemin, që e unë kisha zgjedhur, dhe tempullin për të cilin kisha thënë: "Aty do të jetë emri im"".

28. Pjesa tjetër e bëmave të Josias dhe tërë ato që ka bërë a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Judës?

Lexoni kapitullin e plotë 2 i Mbretërve 23