Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

2 i Mbretërve 23:1-8 Bibla Shqip (ALBB)

1. Atëherë mbreti dërgoi njerëz për të mbledhur pranë vetes tërë pleqtë e Judës dhe të Jeruzalemit.

2. Mbreti u ngjit pastaj në shtëpinë e Zotit dhe me të u ngjitën tërë njerëzit e Judës, tërë banorët e Jeruzalemit, priftërinjtë, profetët dhe tërë populli, nga më i madhi deri te më i vogli; dhe ai lexoi në prani të tyre tërë fjalët e librit të besëlidhjes, që ishte gjetur në shtëpinë e Zotit.

3. Pastaj mbreti, duke qëndruar më këmbë mbi podium, lidhi një besëlidhje përpara Zotit, duke u zotuar të ndiqte Zotin, të respektonte porositë dhe statutet e tij me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt, për të zbatuar në praktikë fjalët e kësaj besëlidhje, të shkruara në atë libër. Tërë populli e pranoi besëlidhjen.

4. Mbreti urdhëroi pastaj kryepriftin Hilkiah, priftërinjtë e rangut të dytë dhe derëtarët të çonin jashtë tempullit të Zotit objektet që ishin ndërtuar për Baalin, për Asherahun dhe për ushtrinë e qiellit;

5. Ai zhduku gjithashtu priftërinjtë idhujtarë që mbretërit e Judës kishin caktuar për të djegur temjan në vendet e larta të qyteteve të Judës e në rrethinat e Jeruzalemit, dhe ata që i digjnin temjan Baalit, diellit, hënës, shenjave të zodiakut dhe gjithë ushtrisë së qiellit.

6. E çoi Asherahun nga shtëpia e Zotit jashtë Jeruzalemit në përruan e Kidronit; e dogji pranë përroit Kidron, e bëri hi dhe hirin e tij e hodhi mbi varret e njerëzve të popullit.

7. Shembi edhe shtëpitë e njerëzve që merreshin me kurvërinë e shenjtë dhe që ndodheshin në shtëpinë e Zotit, ku gratë endnin çadra për Asherahun.

8. Solli tërë priftërinjtë nga qytetet e Judës dhe përdhosi vendet e larta ku priftërinjtë kishin djegur temjan, nga Geba deri në Beer-Sheba. Rrëzoi gjithashtu vendet e larta të portave, që ishin në hyrje të portës së Jozueut guvernator i qytetit, që ishin në të majtë të atij që hyn në portën e qytetit.

Lexoni kapitullin e plotë 2 i Mbretërve 23