Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

2 i Mbretërve 22:1-14 Bibla Shqip (ALBB)

1. Josia ishte tetë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbajti fronin e tij tridhjetë vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Jedidah, ishte e bija e Adajahut nga Botskathi.

2. Ai bëri atë që ishte e drejtë në sytë e Zotit dhe vazhdoi tërësisht rrugën e Davidit, atit të tij, duke mos devijuar as më të djathtë as më të majtë.

3. Në vitin e tetëmbëdhjetë të mbretit Josia, mbreti dërgoi në shtëpinë e Zotit Shafanin, sekretarin, birin e Atsaliahut, që ishte bir i Meshulamit, duke thënë:

4. "Shko te kryeprifti Hilkiah dhe i thuaj që të mbledhë paratë që kanë sjellë në shtëpinë e Zotit dhe ato që derëtarët kanë mbedhur nga populli.

5. T'u jepet në dorë atyre që kryejnë punën, që u është besuar mbikëqyrja e shtëpisë të Zotit; dhe këta t'ua japin punëtorëve që ndodhen në shtëpinë e Zotit për të meremetuar dëmtimet e tempullit;

6. marangozëve, ndërtuesve dhe muratorëve, për të blerë lëndën e drurit dhe gurë të latuar, të cilat nevojiten për të ndrequr tempullin.

7. Por mos kërkoni fare llogari për paratë e dorëzuara në duart e tyre, sepse ata veprojnë me ndershmëri".

8. Atëherë kryeprifti Hilkiah i tha Shafanit, sekretarit: "Gjeta në shtëpinë e Zotit librin e ligjit". Hilkiahu ia dha pastaj librin Shafanit që e lexoi.

9. Kështu Shafani, sekretari, shkoi te mbreti për t'i njoftuar ngjarjen, duke i thënë: "Shërbëtorët e tu kanë mbledhur paratë e gjetura në tempull dhe i kanë dorëzuar në duart e atyre që bëjnë punën, të cilëve u është besuar mbikëqyrja e shtëpisë të Zotit".

10. Shafani, sekretari, i tha gjithashtu mbretit: "Prifti Hilkiah më ka dhënë një libër". Dhe Shafani e lexoi në prani të mbretit.

11. Kur mbreti dëgjoi fjalët e ligjit, ai grisi rrobat e tij.

12. Pastaj mbreti urdhëroi priftin Hilkiah, Ahikamin, birin e Shafanit, Agborin, birin e Mikajahut, Shafanin, sekretarin, dhe Asajahun, shërbëtorin e mbretit:

13. "Shkoni dhe konsultohuni me Zotin për mua për popullin dhe për tërë Judën, lidhur me fjalët e këtij libri që u gjet; sepse i madh është zemërimi i Zotit kundër nesh, sepse etërit tanë nuk iu bindën fjalëve të këtij libri dhe nuk kanë vepruar në përshtatje me të gjitha ato që janë shkruar për ne".

14. Atëherë prifti Hilkiah, Ahikami, Akbori, Shafani dhe Asajahu shkuan te profetesha Huldah, bashkëshorte e Shalumit të Tikvahut, që ishte i biri i Harahsit, ruajtësit të rrobave, (ajo banonte në Jeruzalem, në lagjen e dytë) dhe folën me të.

Lexoni kapitullin e plotë 2 i Mbretërve 22