Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

2 i Mbretërve 20:9-21 Bibla Shqip (ALBB)

9. Atëherë Isaia iu përgjigj: "Kjo është për ty shenja nga ana e Zotit që Zoti do të plotësojë atë që ka thënë: A dëshiron që hija të shkojë përpara dhjetë shkallëza ose të kthehet prapa dhjetë shkallëza?".

10. Ezekia u përgjigj: "Është lehtë për hijen të shkojë përpara dhjetë shkallëza. Jo! Më mirë hija të shkojë prapa dhjetë shkallëza".

11. Atëherë profeti Isai kërkoi ndihmën e Zotit, që bëri hijen të kthehej prapa dhjetë shkallëzat që i kishte zënë në shkallën e Ashazit.

12. Në atë kohë Berodak-Baladani, bir i Baladanit, mbret i Babilonisë, i dërgoi letra dhe një dhuratë Ezekias, sepse kishte dëgjuar që Ezekia kishte qenë i sëmurë.

13. Ezekia priti në audiencë të dërguarit dhe u tregoi tërë shtëpinë e thesarit të tij: argjendin, arin, aromat, vajrat shumë të mira, arsenalin e tij dhe të gjitha gjërat që ndodheshin në magazinat e tij. Nuk pati asgjë në shtëpinë e tij dhe në të gjitha pronat e tij që Ezekia nuk ua tregoi atyre.

14. Atëherë profeti Isaia shkoi te mbreti Ezekia dhe i tha: "Çfarë thanë ata njerëz dhe nga kanë ardhur te ti?". Ezekia iu përgjigj: "Kanë ardhur nga një vend i largët, nga Babilonia".

15. Isaia i tha: "Çfarë kanë parë në shtëpinë tënde?". Ezekia u përgjigj: "Kanë parë të gjitha ato që ka shtëpia ime; u tregova edhe ato gjëra që janë në magazinat e mia".

16. Atëherë Isaia i tha Ezekias: "Dëgjo fjalën e Zotit:

17. "Ja, do të vijnë ditët, kur tërë ato që ka shtëpia jote dhe tërë ato që etërit e tu kanë grumbulluar deri më sot, do të çohen në Babiloni; asgjë nuk do të lihet, thotë Zoti.

18. Përveç kësaj, disa nga bijtë e tu, që kanë dalë nga ti dhe që të kanë lindur, do të bëhen eunukë në pallatin e mbretit të Babilonisë"".

19. Ezekia iu përgjigj pastaj Isaias: "Fjala e Zotit që ti ke shqiptuar është e mirë". Në fakt ai mendonte: "A nuk është një gjë e bukur që të ketë paqe dhe siguri gjatë jetës sime?".

20. Pjesa tjetër e bëmave të Ezekias dhe të gjitha trimëritë e tij, ndërtimi i rezervuarit dhe i ujësjellësit, me anën e të cilëve pruri ujin në qytet, a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Judës?

21. Pastaj Ezekian e zuri gjumi me etërit e tij dhe në vend të tij mbretëroi i biri, Manasi.

Lexoni kapitullin e plotë 2 i Mbretërve 20