Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

2 i Mbretërve 2:12-25 Bibla Shqip (ALBB)

12. Eliseu e pa këtë dhe filloi të bërtasë: "O ati im, o ati im, qerre e Izraelit dhe kalorësia e tij". Pastaj nuk e pa më. Atëherë kapi rrobat e tij dhe i grisi më dysh.

13. Mblodhi pastaj mantelin e Elias që i kishte rënë nga trupi, u kthye prapa dhe u ndal në bregun e Jordanit.

14. Pastaj mori mantelin e Elias që i kishte rënë nga trupi, rrahu ujërat me të dhe tha: "Ku është Zoti, Perëndia i Elias?". Kur edhe ai rrahu ujërat, këto u ndanë sa andej edhe këtej dhe Eliseu kaloi.

15. Kur dishepujt e profetëve që ishin në Jeriko dhe ndodheshin kështu përballë Jordanit e panë Eliseun, ata thanë: "Fryma e Elias është vendosur mbi Eliseun". Pastaj i dolën përpara, u përkulën deri në tokë përpara tij

16. dhe i thanë: "Ja, ka midis shërbëtorëve të tu pesëdhjetë njerëz të fuqishëm; lëri të shkojnë e të kërkojnë zotin tënde se mos Fryma e Zotit e ka marrë dhe e ka hedhur mbi ndonjë mal apo në ndonjë luginë". Eliseu u përgjigj: "Mos dërgoni njeri".

17. Por ata ngulën këmbë aq shumë sa ai mbeti i hutuar dhe tha: "Çojini". Atëherë ata dërguan pesëdhjetë njerëz për të kërkuar Elian tri ditë me radhë, por nuk e gjetën.

18. Kur ata u kthyen tek Eliseu, që ishte ndalur në Jeriko, ai u tha atyre: "A nuk ju kisha thënë: Mos shkoni?".

19. banorët e qytetit i thanë Eliseut: "Ja, qëndrimi në këtë qytet është i këndshëm, siç mund ta vërë re zoti jonë, por ujërat janë të këqija dhe vendi jopjellor.

20. Ai tha: "Më sillni një pjatë të re dhe mbusheni me kripë". Ata ia sollën.

21. Ai shkoi te burimi i ujërave, hodhi aty kripën dhe tha: "Kështu thotë Zoti: "Unë do t'i bëj të mbara këto ujëra, ato nuk do të shkaktojnë më as vdekje, as shterpësi"".

22. Kështu ujërat kanë mbetur të mbara deri më sot, sipas fjalës që Eliseu kishte shqiptuar.

23. Që andej Eliseu u ngjit në Bethel. Ndërsa po ngjitej nëpër rrugë dolën nga qyteti disa të rinj dhe filluan të tallen me të, duke thënë: "Ngjitu, o kokë tullaci! Ngjitu, o kokë tullaci".

24. Ai u kthye, i pa dhe i mallkoi në emër të Zotit, atëherë dolën nga pylli dy arinj, që i bënë copë-copë dyzet e dy nga këta të rinj.

25. Që këtej Eliseu shkoi në malin Karmel dhe që andej u kthye pastaj në Samari.

Lexoni kapitullin e plotë 2 i Mbretërve 2