1. Kur Zoti deshi ta çonte në qiell Elian në një shakullinë, Elia u nis nga Gilgali bashkë me Eliseun.
2. Atëherë Elia i tha Eliseut: "Ndalu këtu, të lutem, sepse Zoti më dërgoi deri në Bethel". Por Eliseu u përgjigj: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron dhe që edhe ti vetë rron, unë nuk do të lë". Kështu zbritën në Bethel.
3. Dishepujt e profetëve që ishin në Bethel shkuan pastaj ta takojnë Eliseun dhe i thanë: A e di që Zoti do ta çojë sot zotin tënde përmbi ty?". Ai u përgjigj: "Po, e di; heshtni!".
4. Pastaj Elia i tha: "Elise, ndalu këtu, të lutem, sepse Zoti më dërgon në Jeriko". Ai u përgjigj: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron dhe që ti vetë rron, unë nuk do të të lë". Kështu zbritën në Jeriko.
5. Atëherë dishepujt e profetëve që ishin në Jeriko iu afruan Eliseut dhe i thanë: "A e di që Zoti do ta çojë sot zotin tënd përmbi ty?". Ai u përgjigj: "Po, e di; heshtni!".
6. Pastaj Elia i tha: "Ndalu këtu, të lutem, sepse Zoti më çon në Jordan". Ai u përgjigj: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron dhe që edhe ti rron, unë nuk do të të lë". Kështu e vazhduan rrugën bashkë.
7. Pesëdhjetë veta nga radhët e dishepujve të profetëve shkuan pas tyre dhe u ndalën përballë tyre, nga larg, ndërsa Elia dhe Eliseu u ndalën në bregun e Jordanit.
8. Atëherë Elia mori mantelin e tij, e mbështolli dhe rrahu me të ujërat, që u ndanë andej dhe këndej; kështu kaluan që të dy në të thatë.