Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

2 i Mbretërve 19:23-35 Bibla Shqip (ALBB)

23. Me anë të lajmëtarëve të tu ke fyer Zotin dhe ke thënë: "Me morinë e qerreve të mia kam hipur në majë të maleve në skutat e Libanit. Do të rrëzoj cedrat e tij më të larta dhe qiparisat e tij më të bukur; do të arrij në strehimin e tij më të thellë, në pjesën më të harlisur të pyllit.

24. Unë kam gërmuar dhe kam pirë ujëra të huaja; me shputën e këmbëve të mia kam tharë tërë lumenjtë e Egjiptit".

25. A nuk ke dëgjuar, vallë, që prej një kohe të gjatë kam përgatitur këtë gjë dhe prej kohërave të lashta e kam hartuar planin? Dhe tani e solla punën që të ndodhë kjo: që ti t'i katandisësh në një grumbull gërmadhash qytetet e fortifikuara.

26. Prandaj banorët e tyre të cilëve u mungonte forca, ishin tmerruar dhe e kishin humbur toruan; ishin si bari i fushave, si bari i blertë, si bari mbi çatitë, që digjet para se të rritet.

27. Por unë e di se si ulesh, si del dhe si hyn dhe bile tërbimin tënd kundër meje.

28. Me qenë se tërbimi yt kundër meje dhe arroganca jote kanë arritur në veshët e mi, do të të vë unazën time në fejzat e hundës, frerin tim te goja, dhe do të të kthej në rrugën nëpër të cilën ke ardhur".

29. Kjo ka për të qenë shenja për ty: Sivjet do të hani atë që rritet vetë, vitin e dytë atë që prodhon ai; por vitin e tretë do të mbillni dhe do të korrni, do të mbillni vreshta dhe do të hani frytin e tyre.

30. Pjesa tjetër e bëmave e shtëpisë së Judës që do të shpëtojë, ka për të vazhduar të lëshojë rrënjë poshtë dhe të prodhojë fryte lart.

31. Sepse nga Jeruzalemi ka për të dalë një pakicë dhe nga mali i Sionit ata që kanë shpëtuar. Zelli i Zotit të ushtrive do ta bëjë këtë.

32. Prandaj kështu thotë Zoti për mbretin e Asirisë: "Ai nuk ka për të hyrë në këtë qytet as ka për të hedhur shigjeta, nuk ka për t'i dalë përpara me mburoja as ka për të ndërtuar ndonjë ledh kundër tij.

33. Ai do të kthehet nëpër rrugën që ndoqi kur erdhi dhe nuk ka për të hyrë në këtë qytet, thotë Zoti.

34. Unë do ta mbroj këtë qytet për ta shpëtuar, për dashurinë që kam ndaj vetes dhe për dashurinë e Davidit, shërbëtorit tim".

35. Atë natë ndodhi që engjëlli i Zotit doli dhe vrau në kampin e asirëve njëqind e tetëdhjetë e pesë mijë njerëz; kur njerëzit u ngritën në mëngjes, ja të gjithë ishin bërë kufoma.

Lexoni kapitullin e plotë 2 i Mbretërve 19