Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

2 i Mbretërve 18:24-37 Bibla Shqip (ALBB)

24. Si mund ta bësh të tërhiqet qoftë edhe një kapiten të vetëm midis shërbëtorëve më të vegjël të zotërisë sime? Megjithatë ke besim tek Egjipti për të pasur qerre dhe kalorës.

25. Tani, a kam dalë, vallë, pa Zotin kundër këtij vendi për ta shkatërruar? Zoti më ka thënë: "Dil kundër këtij vendi dhe shkatërroje".

26. Atëherë Eliakimi, bir i Hilkiahut, Shebna dhe Joashi i thanë Rabshakehut: "Të lutem, folu shërbëtorëve të tu në gjuhën aramaike, se ne e kuptojmë; por mos na fol në gjuhën hebraike, sepse populli që është mbi muret dëgjon".

27. Por Rabshakehu iu përgjigj atyre në këtë mënyrë: "A më ka dërguar vallë zotëria im t'i them këto gjëra zotërisë sate dhe ty, apo më tepër njerëzve që qëndrojnë mbi muret, të dënuar të hanë jashtëqitjet e tyre dhe të pinë shurrën e tyre bashkë me ju?".

28. Atëherë Rabshakehu u ngrit dhe bërtiti me zë të lartë në gjuhën hebraishte, duke thënë: "Dëgjoni fjalën e të madhit, mbretit të Asirisë!

29. Kështu thotë mbreti: "Mos u mashtroni nga Ezekia, sepse ai nuk mund t'ju shpëtojë nga duart e mia;

30. të mos ju shtyjë Ezekia të keni besim tek Zoti, duke thënë: Me siguri Zoti do të na çlirojë dhe ky qytet nuk do t'i dorëzohet mbretit të Asirisë".

31. Mos dëgjoni Ezekian, sepse kështu thotë mbreti i Asirisë: "Bëni paqe me mua dhe dorëzohuni në duart e mia, kështu secili do të hajë frutat e vreshtit dhe të fikut të tij dhe do të pijë ujin e sternës së tij,

32. derisa të vijë unë dhe t'ju çoj në një vend të ngjashëm me vendin tuaj, një vend që jep grurë dhe verë, një vend që ka bukë dhe vreshta, një vend me ullinj, vaj dhe mjaltë; dhe ju do të jetoni dhe nuk do të vdisni". Mos dëgjoni fjalët e Ezekias, që kërkon t'ju mashtrojë, duke thënë: "Zoti do të na çlirojë".

33. A ka çliruar ndonjë prej perëndive të fiseve vendin e tij nga duart e mbretit të Asirisë?

34. Ku janë perënditë e Hamathit dhe të Arpadit? Ku janë perënditë e Sefarvaimit, të Henas dhe të Ivahut? E kanë çliruar ata vallë Samarinë nga duart e mia?

35. Kush midis tërë perëndive të këtyre vendeve ka çliruar vendin e tij nga duart e mia, që Zoti të çlirojë Jeruzalemin nga duart e mia?".

36. Por populli heshti dhe nuk u përgjigj as edhe një fjalë, sepse urdhri i mbretit ishte: "Mos i jepni përgjigje".

37. Atëherë Eliakimi, bir i Hilkiahut, prefekt i pallatit, Shebna, sekretari, dhe Joahu, bir i Asafit, arkivisti, shkuan tek Ezekia me rroba të grisura dhe i referuan fjalët e Rabshekahut.

Lexoni kapitullin e plotë 2 i Mbretërve 18