Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

2 i Mbretërve 18:19-31 Bibla Shqip (ALBB)

19. Atëherë Rabshakehu u tha atyre: "Shkoni t'i thoni Ezekias: Kështu thotë i madhi, mbret i Asirisë: Ku e gjen gjithë këtë besim?

20. A mendon vallë që këshilla dhe forca për të bërë luftë janë vetëm fjalë të kota? Te kush ke besim kur ke ngritur krye kundër meje?

21. Ja tani, ti ke besim në përkrahjen e këtij kallami të thyer, që është Egjipti, që çan dorën e atij që mbështetet në të dhe e shpon. I tillë është pikërisht Faraoni, mbreti i Egjiptit, për tërë ata që kanë besim tek ai.

22. Ndofta do të më thoni: "Ne kemi besim tek Zoti, Perëndia ynë". A nuk është, vallë, po ai për të cilin Ezekia ka hequr vendet e larta dhe altarët, duke i thënë Judës dhe Jeruzalemit: "Ju do të adhuroni vetëm përpara këtij altari në Jeruzalem"?

23. Tani vër një bast me zotërinë tim, mbretin e Asirisë! Unë do të jap dy mijë kuaj, në rast se ti je në gjendje të gjesh kalorësit që u hipin.

24. Si mund ta bësh të tërhiqet qoftë edhe një kapiten të vetëm midis shërbëtorëve më të vegjël të zotërisë sime? Megjithatë ke besim tek Egjipti për të pasur qerre dhe kalorës.

25. Tani, a kam dalë, vallë, pa Zotin kundër këtij vendi për ta shkatërruar? Zoti më ka thënë: "Dil kundër këtij vendi dhe shkatërroje".

26. Atëherë Eliakimi, bir i Hilkiahut, Shebna dhe Joashi i thanë Rabshakehut: "Të lutem, folu shërbëtorëve të tu në gjuhën aramaike, se ne e kuptojmë; por mos na fol në gjuhën hebraike, sepse populli që është mbi muret dëgjon".

27. Por Rabshakehu iu përgjigj atyre në këtë mënyrë: "A më ka dërguar vallë zotëria im t'i them këto gjëra zotërisë sate dhe ty, apo më tepër njerëzve që qëndrojnë mbi muret, të dënuar të hanë jashtëqitjet e tyre dhe të pinë shurrën e tyre bashkë me ju?".

28. Atëherë Rabshakehu u ngrit dhe bërtiti me zë të lartë në gjuhën hebraishte, duke thënë: "Dëgjoni fjalën e të madhit, mbretit të Asirisë!

29. Kështu thotë mbreti: "Mos u mashtroni nga Ezekia, sepse ai nuk mund t'ju shpëtojë nga duart e mia;

30. të mos ju shtyjë Ezekia të keni besim tek Zoti, duke thënë: Me siguri Zoti do të na çlirojë dhe ky qytet nuk do t'i dorëzohet mbretit të Asirisë".

31. Mos dëgjoni Ezekian, sepse kështu thotë mbreti i Asirisë: "Bëni paqe me mua dhe dorëzohuni në duart e mia, kështu secili do të hajë frutat e vreshtit dhe të fikut të tij dhe do të pijë ujin e sternës së tij,

Lexoni kapitullin e plotë 2 i Mbretërve 18