Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

2 i Mbretërve 15:17-31 Bibla Shqip (ALBB)

17. Vitin e tridhjetenëntë të mbretërisë së Azariahut, mbretit të Judës, Menahemi, bir i Gadit, filloi të mbretërojë mbi Izraelin, dhe e mbajti fronin dhjetë vjet në Samari.

18. Ai bëri atë që është e keqe për sytë e Zotit; nuk u largua nga mëkatet e Jeroboamit, birit të Nebatit, që e kishte bërë Izraelin të kryente mëkate.

19. Puli, mbret i Sirisë, erdhi kundër vendit. Atëherë Menahemi i dha Pulit një mijë talenta argjendi me qëllim që ta ndihmonte për ta bërë më të qëndrueshme mbretërinë në duart e tij.

20. Menahemi bëri që këto të holla të paguheshin nga Izraeli, nga të gjithë njerëzit e pasur, në masën pesëdhjetë sikla argjendi për frymë, për t'ia dhënë mbretit të Asirisë. Kështu mbreti i Asirisë u kthye dhe nuk qëndroi në vend.

21. Pjesa tjetër e bëmave të Menahemit dhe tërë ato që bëri a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit?

22. Kështu Menahemin e zuri gjumi me etërit e tij. Në vend të tij mbretëroi i biri, Pekahiahu.

23. Në vitin e pesëdhjetë të Azariahut, mbretit të Judës, Pekahiahu, bir i Menahemit, filloi të mbretërojë mbi Izraelin në Samari; dhe mbretëroi dy vjet.

24. Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit; nuk u largua nga mëkatet e Jeroboamit, birit të Nebatit, që e kishin bërë Izraelin të kryente mëkate.

25. Pastaj Pekahu, bir i Remaliahut, kapitenit të tij, kurdisi një komplot kundër tij dhe e goditi në Samari, në kullën e pallatit mbretëror, bashkë me Argobin dhe Ariehun, duke pasur me vete pesëdhjetë burra të Galaadit. Ai vrau dhe mbretëroi në vend të tij.

26. Pjesa tjetër e bëmave të Pekahiahut dhe tërë ato që bëri a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit?

27. Vitin e pesëdhjetedytë të Azariahut, mbretit të Judës, Pekahu, bir i Remaliahut, filloi të mbretërojë mbi Izraelin në Samari, dhe mbretëroi njëzet vjet.

28. Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit; nuk u largua nga mëkatet e Jeroboamit, birit të Nebatit, që e kishte bërë Izraelin të kryente mëkate.

29. Në kohën e Pekahiahut, mbretit të Izraelit erdhi Tiglath-Pileseri, mbret i Asirisë, dhe pushtoi Ijonin, Abel-Keth-Maakahun, Janoahun, Kedeshin, Hatsorin, Galaadin, Galilenë dhe tërë vendin e Neftalit; dhe i internoi tërë banorët e tyre në Asiri.

30. Pastaj Hosea, bir i Elahut, kurdisi një komplot kundër Pekahut, birit të Remaliahut, e goditi dhe e vrau; kështu mbretëroi në vendin e tij, vitin e njëzetë të mbretërimit të Jothamit, birit të Uziahut.

31. Pjesa tjetër e bëmave të Pekahut dhe tërë ato që bëri a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit?

Lexoni kapitullin e plotë 2 i Mbretërve 15