12. Juda u mund nga Izraeli, dhe secili prej tyre iku në çadrën e vet.
13. Në Beth-Shemesh Joasi, mbret i Izraelit, kapi Amatsiahun, mbretin e Judës, birin e Joasit, që ishte bir i Ashaziahut. Pastaj shkoi në Jeruzalem ku bëri një të çarë prej katërqind kubitësh në muret e Jeruzalemit, nga porta e Efraimit deri te porta e Qoshes.
14. Gjithashtu mori tërë arin dhe argjendin dhe tërë sendet që ndodheshin në shtëpinë e Zotit dhe në thesaret e shtëpisë së mbretit, bashkë me njerëzit peng, dhe u kthye në Samari.
15. Pjesa tjetër e bëmave të Joasit, trimëria e tij dhe si luftoi kundër Amatsiahut mbretit të Judës, a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit?
16. Kështu Joasin e zuri gjumi bashkë me etërit e tij dhe u varros në Samari me mbretërit e Izraelit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Jeroboami.
17. Amatsiahu, bir i Joasit dhe mbret i Judës, jetoi edhe pesëmbëdhjetë vjet mbas vdekjes së Joasit, birit të Jehoahazit dhe mbret i Izraelit.
18. Pjesa tjetër e bëmave të Amatsiahut a nuk është e shkruar në librin e Kronikave të mbretërve të Judës?
19. Kundër tij u kurdis një komplot në Jeruzalem dhe ai iku në Lakish; por e ndoqën deri në Lakish, ku e vranë.