Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

2 i Mbretërve 14:11-28 Bibla Shqip (ALBB)

11. Por Amatsiahu nuk e dëgjoi. Kështu Joasi mbret i Izraelit, doli; prandaj ai dhe Amatsiahu, mbret i Judës, u ndeshën njëri me tjetrin në Beth-Shemesh, që ishte pronë e Judës.

12. Juda u mund nga Izraeli, dhe secili prej tyre iku në çadrën e vet.

13. Në Beth-Shemesh Joasi, mbret i Izraelit, kapi Amatsiahun, mbretin e Judës, birin e Joasit, që ishte bir i Ashaziahut. Pastaj shkoi në Jeruzalem ku bëri një të çarë prej katërqind kubitësh në muret e Jeruzalemit, nga porta e Efraimit deri te porta e Qoshes.

14. Gjithashtu mori tërë arin dhe argjendin dhe tërë sendet që ndodheshin në shtëpinë e Zotit dhe në thesaret e shtëpisë së mbretit, bashkë me njerëzit peng, dhe u kthye në Samari.

15. Pjesa tjetër e bëmave të Joasit, trimëria e tij dhe si luftoi kundër Amatsiahut mbretit të Judës, a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit?

16. Kështu Joasin e zuri gjumi bashkë me etërit e tij dhe u varros në Samari me mbretërit e Izraelit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Jeroboami.

17. Amatsiahu, bir i Joasit dhe mbret i Judës, jetoi edhe pesëmbëdhjetë vjet mbas vdekjes së Joasit, birit të Jehoahazit dhe mbret i Izraelit.

18. Pjesa tjetër e bëmave të Amatsiahut a nuk është e shkruar në librin e Kronikave të mbretërve të Judës?

19. Kundër tij u kurdis një komplot në Jeruzalem dhe ai iku në Lakish; por e ndoqën deri në Lakish, ku e vranë.

20. Pastaj e mbartën me kuaj dhe e varrosën në Jeruzalem bashkë me etërit e tij në qytetin e Davidit.

21. Atëherë tërë populli i Judës mori Azariahun, që ishte gjashtëmbëdhjetë vjeç, dhe e bëri mbret në vend të atit të tij Amatsiah.

22. Mbasi mbretin e zuri gjumi bashkë me etërit e tij, ai rindërtoi Elathin dhe ripushtoi Judën.

23. Në vitin e pesëmbëdhjetë të Amatsiahut, birit të Joasit dhe mbret i Judës, filloi të mbretërojë në Samari Jeroboami, bir i Joasit, mbret i Izraelit, dhe e mbajti fronin dyzet e një vjet.

24. Ai bëri atë që është e keqe për sytë e Zotit; nuk u largua nga asnjë prej mëkateve të Jeroboamit, birit të Nebatit, që kishte bërë të kryente mëkate Izraelin.

25. Ai rivendosi kufijtë e Izraelit nga hyrja e Hamathit në detin e Arahahut, sipas fjalës të Zotit, Perëndisë të Izraelit, të shqiptuar nga profeti Jona, birit të Amitait, që ishte nga Gath-Heferi.

26. Në fakt Zoti kishte parë që dëshpërimi i Izraelit ishte shumë i thellë; nuk kishte më as skllevër as të lirë, dhe nuk kishte as edhe një që t'i vinte në ndihmë Izraelit.

27. Zoti nuk kishte thënë akoma të zhdukej emri i Izraelin poshtë qiellit; prandaj e shpëtoi me anë të Jeroboamit, birit të Joasit.

28. Pjesa tjetër e bëmave të Jeroboamit, tërë atë që kreu, trimëria e tij në luftë dhe si i ripushtoi Izraelit Damaskun dhe Hamathin që kishin qenë pronë e Judës, a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit?

Lexoni kapitullin e plotë 2 i Mbretërve 14