Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

2 i Mbretërve 10:11-24 Bibla Shqip (ALBB)

11. Kështu Jehu bëri që të vdesin tërë ata që kishin mbetur nga shtëpia e Ashabit në Jezreel, tërë të mëdhenjtë, miqtë dhe priftërinjtë e tij, pa lënë asnjë prej tyre.

12. Pastaj u ngrit dhe shkoi në Samari. Gjatë rrugës, me të arritur në Beth-Eked,

13. Jehu takoi vëllezërit e Ashaziahut, mbretit të Judës, dhe tha: "Kush jeni?". Ata u përgjigjën: "Jemi vëllezërit e Ashaziahut dhe po zbresim për të përshëndetur bijtë e mbretit dhe bijtë e mbretëreshës".

14. Atëherë ai urdhëroi: "Kapini të gjallë!". Kështu i zunë të gjallë dhe i therën pranë pusit të Beth-Ekedit, gjithsej dyzet e dy veta; nuk kursyen as edhe një.

15. U nis që andej dhe gjeti Jehonadabin, birin e Rekabit, që iu kishte dalë para; e përshëndeti dhe i tha: "A është zemra jote e drejtë ashtu siç është imja ndaj teje?". Jehonadabi u përgjigj: "Është".

16. "Eja me mua dhe do të shohësh zellin tim për Zotin!". Pastaj e mori me vete në qerren e tij.

17. Me të arritur në Samari, vrau tërë ata që kishin mbetur nga shtëpia e Ashabit në Samari, deri në shkatërrimin e plotë të saj, sipas fjalës që Zoti i kishte thënë Elias.

18. Pastaj Jehu mblodhi tërë popullin dhe i tha: "Ashabi i ka shërbyer pak Baalit, por Jehu do t'i shërbejë shumë më tepër.

19. Tani thirri pranë meje tërë profetët e Baalit, tërë shërbëtorët dhe priftërinjtë e tij; të mos mungojë asnjë prej tyre, sepse duhet t'i bëj një flijim të madh Baalit; ai që do të mungojë, nuk do mbetet i gjallë". Por Jehu vepronte me mashtrim për të shkatërruar adhuruesit e Baalit.

20. Pastaj Jehu urdhëroi: "Shpallni një festë solemne për nder të Baalit!". Festa u shpall.

21. Pastaj Jehu dërgoi lajmëtarë nëpër gjithë Izraelin; kështu tërë adhuruesit e Baalit erdhën dhe nuk mungoi asnjë prej tyre; hynë në tempullin e Baalit dhe tempulli u mbush plot nga një anë në anën tjetër.

22. Jehu i tha rojtarit të rrobave: "Nxirri jashtë rrobat për të gjithë adhuruesit e Baalit". Kështu ai i nxori rrobat për ta.

23. Atëherë Jehu, bashkë me Jehonadabin, birin e Rekabit, hyri në tempullin e Baalit dhe u tha adhuruesve të Baalit: "Kërkoni mirë dhe shikoni që këtu të mos ketë asnjë shërbëtor të Zotit, por vetëm adhurues të Baalit".

24. Kështu ata hynë për të ofruar flijime dhe holokauste. Jehu kishte vënë jashtë tempullit tetëdhjetë burra, të cilëve u kishte thënë: "Në rast se dikush lë të ikë një njeri të vetëm nga njerëzit që kam lënë në duart tuaja, do ta paguajë me jetën e tij jetën e atij që ka ikur".

Lexoni kapitullin e plotë 2 i Mbretërve 10