Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

2 i Mbretërve 1:1-14 Bibla Shqip (ALBB)

1. Mbas vdekjes së Ashabit, Moabi u rebelua kundër Izraelit.

2. Ashaziahu ra nga dritarja e katit të sipërm në Samari dhe u dëmtua. Atëherë dërgoi lajmëtarë të cilëve u tha: "Shkoni të konsultoni Baal-Zebubin, perëndinë e Ekronit, për të ditur në se do ta marr veten nga kjo fatkeqësi".

3. Por një engjëll i Zotit i tha tishbitit Elia: "Çohu dhe u dil përpara lajmëtarëve të mbretit të Samarisë dhe u thuaj atyre: "Mos vallë nuk ka Perëndi në Izrael, që ju shkoni të konsultoheni me Baal-Zebubin, perëndinë e Ekronit?

4. Prandaj kështu thotë Zoti: "Ti nuk do të zbresësh më nga shtrati në të cilin ke hipur, por me siguri ke për të vdekur"". Pastaj Elia u largua.

5. Lajmëtarët u kthyen te Ashaziahu, që i pyeti ata: "Pse u kthyet?".

6. Ata u përgjigjën: "Një njeri na doli përpara dhe na tha: "Shkoni te mbreti që ju ka dërguar dhe i thoni: Kështu thotë Zoti: Mos vallë nuk ka asnjë Perëndi në Izrael që ti dërgon njerëz për t'u konsultuar me Baal-Zebubin, perëndinë e Ekronit? Prandaj nuk do të zbresësh nga shtrati mbi të cilin ke hipur, por me siguri ke për të vdekur"".

7. Atëherë mbreti i pyeti ata: "Si ishte njeriu që ju doli përpara dhe ju tha këto fjalë?".

8. Ata u përgjigjën: "Ishte një njeri i veshur me rroba leshi dhe me një brez prej lëkure rreth ijëve"; Ashaziahu tha: "Është Elia, tishbiti!".

9. Atëherë mbreti dërgoi tek Elia një kapiten pesëdhjetësheje me pesëdhjetë njerëzit e tij; ai u ngjit tek ai dhe e gjeti Elian të ulur në majë të malit. Kapiteni i tha: "O njeriu i Perëndisë, mbreti të urdhëron të zbresësh".

10. Elia u përgjigj dhe i tha kapitenit të pesëdhjetëshes: "Në rast se jam një njeri i Perëndisë, të zbresë zjarr nga qielli dhe të të zhdukë ty dhe të pesëdhjetë njerëzit që janë me ty!". Dhe nga qielli zbriti një zjarr, që zhduku atë dhe të pesëdhjetë njerëzit e tij.

11. Atëherë mbreti i dërgoi një kapiten tjetër pesëdhjetësheje me pesëdhjetë njerëzit e tij, që iu drejtua Elias dhe i tha: "O njeriu i Perëndisë, mbreti të urdhëron të zbresësh menjëherë".

12. Elia u përgjigj dhe u tha atyre: "Në qoftë se jam një njeri i Perëndisë, le të zbresë zjarr nga qielli dhe të të zhdukë ty dhe pesëdhjetë njerëzit e tu". Dhe nga qielli zbriti zjarri i Perëndisë që zhduku atë dhe të pesëdhjetë njerëzit e tij.

13. Mbreti dërgoi edhe një kapiten të tretë pesëdhjetësheje me pesëdhjetë njerëzit e tij. Ky kapiten i tretë pesëdhjetësheje u ngjit dhe shkoi e u shtri para Elias, duke e lutur: "O njeriu i Perëndisë, të lutem, jeta ime e këtyre pesëdhjetë shërbëtorëve të tu qofshin të çmuara në sytë e tu!

14. Ja, një zjarr zbriti nga qielli dhe zhduku dy kapitenët e parë të pesëdhjetëshes me pesëdhjetë njerëzit e tyre; por tani jeta ime qoftë e çmuar në sytë e tu".

Lexoni kapitullin e plotë 2 i Mbretërve 1