Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

2 i Kronikave 9:20-31 Bibla Shqip (ALBB)

20. Të gjitha kupat për pijet e mbretit Salomon ishin prej ari, madje edhe ato të pallatit të pyllit të Libanit ishin prej ari të kulluar. Në kohën e Salomonit argjendi në të vërtetë nuk kishte asnjë vlerë.

21. Sepse anijet e mbretit shkonin në Tarshish me shërbëtorët e Hiramit; dhe një herë çdo tre vjet vinin anijet e Tarshishit, duke sjellë ar, argjend, fildish, majmunë dhe pallonj.

22. Kështu mbreti Salomon ua kaloi për pasuri dhe dituri tërë mbretërve të dheut.

23. Tërë mbretërit e dheut kërkonin praninë e Salomonit për të dëgjuar diturinë që Perëndia i kishte vënë në zemër.

24. Secili prej tyre i çonte dhuratën e vet: sende argjendi, sende ari, rroba, armë, aroma, kuaj dhe mushka, një sasi të caktuar çdo vit.

25. Salomoni kishte katër mijë stalla për kuajt dhe për qerret dhe dymbëdhjetë mijë kalorës, që i shpërndau në qytetet për qerret dhe në Jeruzalem pranë tij.

26. Kështu ai sundoi mbi tërë mbretërit nga Lumi deri në vendin e filistenjve dhe në kufi me Egjiptin.

27. Mbreti veproi në mënyrë të tillë që në Jeruzalem argjendi të ishte i rëndomtë si gurët dhe cedrat të bollshëm si fiku i Egjiptit në fusha.

28. Salomonit i sillnin kuaj nga Egjipti dhe nga të gjitha vendet.

29. Pjesa tjetër e bëmave të Salomonit, nga të parat deri në të fundit, a nuk janë vallë të shkruara në librin e Nathanit, profetit, në profecinë e Ahijahut nga Shilohu dhe në vegimet e Idos, shikuesit, mbi Jeroboamin, birin e Nebatit?

30. Salomoni mbretëroi në Jeruzalem mbi tërë Izraelin dyzet vjet.

31. Pastaj Salomoni pushoi bashkë me etërit e tij dhe e varrosën në qytetin e Davidit, atit të tij. Në vend të tij mbretëroi i biri, Roboami.

Lexoni kapitullin e plotë 2 i Kronikave 9