Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

2 i Kronikave 7:1-10 Bibla Shqip (ALBB)

1. Kur Salomoni mbaroi së luturi, nga qielli ra një zjarr që konsumoi holokaustin dhe flijimet dhe lavdia e Zotit mbushi tempullin.

2. Priftërinjtë nuk mund të hynin në shtëpinë e Zotit, sepse lavdia e Zotit mbushte shtëpinë e Zotit.

3. Tërë bijtë e Izraelit, kur panë që zjarri po zbriste dhe lavdia e Zotit po vendosej mbi tempullin, ranë përmbys me fytyrë mbi dysheme, duke adhuruar dhe lëvduar Zotin, "sepse është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon në përjetësi".

4. Pastaj mbreti dhe tërë populli ofruan flijime përpara Zotit,

5. mbreti Salomon ofroi si flijim njëzet e dy mijë lopë dhe njëqind e njëzet mijë dele. Kështu mbreti dhe tërë populli shenjtëruan shtëpinë e Perëndisë.

6. Priftërinjtë kryenin detyrat e tyre, po kështu levitët me veglat e tyre muzikore të kushtuara Zotit, që mbreti David kishte bërë për të lëvduar Zotin, "sepse mirësia e tij është e përjetshme", sa herë që Davidi lëvdonte me anë të tyre. Priftërinjtë u binin borive para tyre, ndërsa tërë Izraeli qëndronte në këmbë.

7. Salomoni shenjtëroi pjesën qendrore të oborrit që ishte përballë shtëpisë të Zotit; aty pikërisht ofroi holokauste dhe dhjamin e flijimeve të falënderimit, sepse altari prej bronzi që Salomoni kishte bërë nuk i zinte dot holokaustet, blatimet e ushqimit dhe dhjamin.

8. Në atë kohë Salomoni kremtoi festën shtatë ditë dhe tërë Izraeli bashkë me të. Me Salomonin u bashkua një mori e madhe njerëzish të ardhur nga rrethinat e Hamathit deri në përroin e Egjiptit.

9. Ditën e tetë bënë një mbledhje solemne, sepse kishin kremtuar kushtimin e altarit shtatë ditë dhe festën shtatë ditë të tjera.

10. Ditën e njëzetetretë të muajit të shtatë ai e ktheu në çadrat e tij popullin tërë qejf dhe të gëzuar për të mirën që Zoti i kishte bërë Davidit, Salomonit dhe Izraelit, popullit të tij.

Lexoni kapitullin e plotë 2 i Kronikave 7