Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

2 i Kronikave 6:8-27 Bibla Shqip (ALBB)

8. por Zoti i tha Davidit, atit tim: "Ti ke pasur në zemër të ndërtosh një tempull në emrin tim, dhe ke bërë mirë që ke pasur një gjë të tillë në zemër;

9. por nuk do të jesh ti që do ta ndërtosh tempullin, por biri yt që ka për të dalë nga ijët e tua, do të jetë ai që do ta ndërtojë tempullin në emrin tim".

10. Kështu Zoti e mbajti fjalën që kishte shqiptuar, dhe unë zura vendin e Davidit, atit tim dhe u ula mbi fronin e Izraelit, ashtu si kishte premtuar Zoti, dhe ndërtova tempullin në emrin e Zotit, Perëndisë të Izraelit.

11. Aty vendosa arkën, në të cilën ndodhet besëlidhja e Zotit, që ai ka bërë me bijtë e Izraelit"

12. Pastaj Salomoni zuri vend para altarit të Zotit, përballë asamblesë së Izraelit dhe shtriu duart

13. (Salomoni në fakt kishte ndërtuar një tribunë prej bronzi, të gjatë pesë kubitë, të gjerë pesë kubitë dhe të lartë tre kubitë, dhe e kishte vendosur në mes të oborrit; ai hipi në të, u gjunjëzua para tërë asamblesë së Izraelit, zgjati duart në drejtim të qiellit),

14. dhe tha: "O Zot, o Perëndi i Izraelit, nuk ka asnjë Perëndi të ngjashëm me ty as në qiell, as në tokë. Ti i përmbahesh besëlidhjes dhe mëshirës ndaj shërbëtorëve të tu që ecin përpara teje me gjithë zemër.

15. Ti me shërbëtorin tënd David, atin tim, e mbajte atë që i kishe premtuar; po, sot ke kryer me dorën tënde atë që kishe premtuar me gojën tënde.

16. Prandaj tani o Zot, Perëndi i Izraelit, mbaje me shërbëtorin tënd David, atin tim, atë që i ke premtuar duke thënë: "Ty nuk do të të mungojë asnjë nga ata që ulen në fronin e Izraelit, me kusht që bijtë e tu të kujdesen për sjelljen e tyre dhe të ecin sipas ligjit tim ashtu si ke ecur ti përpara meje".

17. Tani, pra, o Zot, Perëndi i Izraelit, u bëftë fjala që i ke thënë shërbëtorit tënd David!

18. Por a është në fakt e vërtetë që Perëndia banon me njerëzit në tokë? Ja, qiejt dhe qiejt e qiejve nuk mund të të nxënë, aq më pak ky tempull që unë kam ndërtuar!

19. Megjithatë, o Zot, Perëndia im, kushtoji vëmendje lutjes së shërbëtorit tënd dhe kërkesës së tij, duke dëgjuar britmën dhe lutjen që shërbëtori yt të drejton ty.

20. Sytë e tu janë drejtuar ditë e natë ndaj këtij tempulli, në drejtim të vendit që ke thënë: "Atje do të jetë emri im", për të dëgjuar lutjet që shërbëtori yt do të bëjë duke u kthyer në drejtim të këtij vendi.

21. Dëgjo lutjet e shërbëtorit tënd dhe të popullit tënd të Izraelit kur do të luten të kthyer nga ky vend. Dëgjo nga vendi i banesës sate, nga qiejt; dëgjo dhe fali.

22. Në qoftë se ndokush kryen një mëkat kundër të afërmit të tij dhe, i detyruar të betohet, vjen të betohet përpara altarit tënd në këtë tempull,

23. ti dëgjo nga qielli, ndërhy dhe gjyko shërbëtorët e tu; dëno fajtorin, duke bërë që të bjerë mbi kokën e tij sjellja e tij, dhe shpalle të drejtë të pafajshmin duke i dhënë hak.

24. Kur populli yt i Izraelit do të mundet nga armiku sepse ka mëkatuar kundër teje, në rast se kthehet te ti dhe lëvdon emrin tënd, në rast se të lutet dhe të përgjërohet në këtë tempull,

25. dëgjo nga qielli dhe fale mëkatin e popullit tënd të Izraelit, dhe bëje të kthehet në vendin që i ke dhënë atij dhe etërve të tij.

26. Kur qielli do të jetë i mbyllur dhe nuk do të ketë shi sepse kanë mëkatuar kundër teje, në qoftë se ata luten të drejtuar nga ky vend, në qoftë se lavdërojnë emrin tënd dhe heqin dorë nga mëkati i tyre sepse i ke përulur,

27. ti dëgjo nga qielli, fale mëkatin e shërbëtorëve të tu dhe të popullit tënd, të Izraelit, duke u mësuar rrugën e mirë nëpër të cilën duhet të ecin, dhe dërgo shiun mbi tokën që i ke dhënë si trashëgimi popullit tënd.

Lexoni kapitullin e plotë 2 i Kronikave 6