Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

2 i Kronikave 6:4-16 Bibla Shqip (ALBB)

4. Pastaj tha: "I bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, që ka kryer me fuqinë e tij atë që i kishte premtuar me gojën e vet atit tim David, duke thënë:

5. "Nga dita që nxora popullin tim të Izraelit nga vendi i Egjiptit, unë nuk kam zgjedhur asnjë qytet ndër të gjitha fiset e Izraelit për të ndërtuar një shtëpi, ku emri im të mbetej, dhe nuk kam zgjedhur njeri që të bëhet princ mbi popullin tim të Izraelit,

6. por kam zgjedhur Jeruzalemin, që emri im të mbetet aty, dhe kam zgjedhur Davidin që të mbretërojë mbi popullin tim të Izraelit".

7. Davidi, ati im, kishte në zemër të ndërtonte një tempull, në emër të Zotit, Perëndisë të Izraelit,

8. por Zoti i tha Davidit, atit tim: "Ti ke pasur në zemër të ndërtosh një tempull në emrin tim, dhe ke bërë mirë që ke pasur një gjë të tillë në zemër;

9. por nuk do të jesh ti që do ta ndërtosh tempullin, por biri yt që ka për të dalë nga ijët e tua, do të jetë ai që do ta ndërtojë tempullin në emrin tim".

10. Kështu Zoti e mbajti fjalën që kishte shqiptuar, dhe unë zura vendin e Davidit, atit tim dhe u ula mbi fronin e Izraelit, ashtu si kishte premtuar Zoti, dhe ndërtova tempullin në emrin e Zotit, Perëndisë të Izraelit.

11. Aty vendosa arkën, në të cilën ndodhet besëlidhja e Zotit, që ai ka bërë me bijtë e Izraelit"

12. Pastaj Salomoni zuri vend para altarit të Zotit, përballë asamblesë së Izraelit dhe shtriu duart

13. (Salomoni në fakt kishte ndërtuar një tribunë prej bronzi, të gjatë pesë kubitë, të gjerë pesë kubitë dhe të lartë tre kubitë, dhe e kishte vendosur në mes të oborrit; ai hipi në të, u gjunjëzua para tërë asamblesë së Izraelit, zgjati duart në drejtim të qiellit),

14. dhe tha: "O Zot, o Perëndi i Izraelit, nuk ka asnjë Perëndi të ngjashëm me ty as në qiell, as në tokë. Ti i përmbahesh besëlidhjes dhe mëshirës ndaj shërbëtorëve të tu që ecin përpara teje me gjithë zemër.

15. Ti me shërbëtorin tënd David, atin tim, e mbajte atë që i kishe premtuar; po, sot ke kryer me dorën tënde atë që kishe premtuar me gojën tënde.

16. Prandaj tani o Zot, Perëndi i Izraelit, mbaje me shërbëtorin tënd David, atin tim, atë që i ke premtuar duke thënë: "Ty nuk do të të mungojë asnjë nga ata që ulen në fronin e Izraelit, me kusht që bijtë e tu të kujdesen për sjelljen e tyre dhe të ecin sipas ligjit tim ashtu si ke ecur ti përpara meje".

Lexoni kapitullin e plotë 2 i Kronikave 6