Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

2 i Kronikave 36:4-16 Bibla Shqip (ALBB)

4. Pastaj mbreti i Egjiptit bëri mbret të Judës dhe të Jeruzalemit vëllanë e tij Eliakimin, të cilit ia ndërroi emrin dhe e quajti Jehojakim. Neko përkundrazi mori vëllanë e tij Jehoahaz dhe e çoi në Egjipt.

5. Jehojakimi ishte njëzet e pesë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi njëmbëdhjetë vjet në Jeruzalem. Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, Perëndisë së tij.

6. Nebukadnetsari, mbret i Babilonisë, doli kundër tij dhe e lidhi me zinxhirë prej bronzi për ta çuar në Babiloni.

7. Nebukadnetsari çoi gjithashtu në Babiloni një pjesë të sendeve të shtëpisë të Zotit dhe i vuri në pallatin e tij në Babiloni.

8. Pjesa tjetër e bëmave të Jehojakimit, gjërat e neveritshme që kreu dhe të gjitha ato që u gjetën kundër tij, ja, janë të shkruara në librin e mbretërve të Izraelit dhe të Judës. në vend të tij mbretëroi i biri, Jehojakini.

9. Jehojakini ishte tetë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi tre muaj dhe dhjetë ditë në Jeruzalem. Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit.

10. Në fillim të vitit të ri mbreti Nebukadnetsar dërgoi ta marrë dhe e çoi në Babiloni me gjërat e çmuara të shtëpisë të Zotit. Pastaj bëri mbret të Judës dhe të Jeruzalemit Sedekian, vëllanë e Jehojakinit.

11. Sedekia ishte njëzet vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi njëmbëdhjetë vjet në Jeruzalem.

12. Edhe ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, Perëndisë së tij, dhe nuk u përul përpara profetit Jeremia, që fliste nga ana e Zotit.

13. Ai ngriti krye gjithashtu kundër mbretit Nebukadnetsar, që e kishte vënë të betohej në emër të Perëndisë por ai e mpiu zverkun e tij dhe ngurtësoi zemrën e tij, duke mos pranuar të kthehej tek Zoti, Perëndia i Izraelit.

14. Edhe tërë krerët e priftërinjve dhe populli mëkatuan gjithnjë e më tepër duke ndjekur të gjitha gjërat e neveritshme të kombeve dhe e ndotën shtëpinë se Zotit, që ai u kishte shenjtëruar në Jeruzalem.

15. Zoti, Perëndia i etërve të tyre, u dërgoi atyre, që në fillim dhe me këmbëngulje, paralajmërime me anë të lajmëtarëve të tij, sepse donte ta shpëtonte popullin e tij dhe banesën e tij.

16. Por ata u tallën me lajmëtarët e Perëndisë, përçmuan fjalët e tij dhe vunë në lojë profetët e tij, derisa zemërimi i Zotit kundër popullit të tij arriti një pikë në të cilën nuk kishte rrugëdalje.

Lexoni kapitullin e plotë 2 i Kronikave 36