Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

2 i Kronikave 34:13-22 Bibla Shqip (ALBB)

13. Këta mbikëqyrnin gjithashtu mbartësit e peshave dhe drejtonin tërë ata që kryenin punime të çfarëdo lloji; përveç kësaj, disa levitë ishin shkrues, inspektorë dhe derëtarë.

14. Ndërsa po tërhiqeshin paratë që ishin çuar në shtëpinë e Zotit, prifti Hilkiah gjeti librin e Ligjit të Zotit, që ishte dhënë nëpërmjet Moisiut.

15. Atëherë Hilkiahu e mori fjalën dhe i tha sekretarit Shafan: "Kam gjetur në shtëpinë e Zotit librin e ligjit". Pastaj Hilkiahu ia dha librin Shafanit.

16. Shafani ia çoi librin mbretit dhe i tha gjithashtu: "Shërbëtorët e tu po bëjnë atë që u është urdhëruar të bëjnë.

17. Kanë mbledhur paratë e gjetura në shtëpinë e Zotit dhe i kanë dorëzuar në duart e mbikëqyrësve dhe të punëtorëve".

18. Shafani, sekretari, i tha gjithashtu mbretit: "Prifti Hilkiah më dha një libër". Pastaj Shafani e lexoi në prani të mbretit.

19. Por ndodhi që, kur mbreti dëgjoi fjalët e ligjit, ai grisi rrobat e trupit.

20. Pastaj mbreti i dha këtë urdhër Hilkiahut, Ahikamit, birit të Shafanit, Abdonit, birit të Mikahut, Shafanit, sekretarit, dhe Asajahut, shërbëtorit të mbretit, duke thënë:

21. "Shkoni të konsultoheni Zotin për mua dhe për ata që kanë mbetur në Izrael dhe në Judë, lidhur me fjalët e Librit që u gjet; i madh, pra, është zemërimi i Zotit që ra mbi ne, sepse etërit tanë nuk kanë ndjekur fjalën e Zotit, duke vepruar plotësisht sipas asaj që është shkruar në këtë libër".

22. Kështu Hilkiahu dhe ata që mbreti kishte caktuar shkuan te profetesha Huldah, bashkëshorte e Shallumit, birit të Tokhathit, bir i Hasrathit, ruajtësi i rrobave; (ajo banonte në Jeruzalem në lagjen e dytë), dhe i folën lidhur me këtë çështje.

Lexoni kapitullin e plotë 2 i Kronikave 34