Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

2 i Kronikave 32:12-22 Bibla Shqip (ALBB)

12. A nuk i ka hequr vallë vetë Ezekia vendet e tij të larta dhe altarët e tij, duke i thënë Judës dhe Jeruzalemit: "Ju do të adhuroni përpara një altari të vetëm dhe mbi të do të ofroni temjan"?

13. A nuk e dini ju çfarë u kemi bërë unë dhe etërit e mi gjithë popujve të vendeve të tjera? A kanë qenë të aftë perënditë e kombeve të këtyre vendeve të çlirojnë në një farë mënyre vendet e tyre nga duart e mia?

14. Midis tërë perëndive të këtyre kombeve që etërit e mi kanë caktuar për shfarosje, kush, pra, ka mundur të çlirojë popullin e tij nga dora ime? Si do të mund t'ju çlirojë Perëndia juaj, pra, nga dora ime?

15. Prandaj tani mos e lini Ezekian t'ju gënjejë dhe t'ju mashtrojë në këtë mënyrë; mos i zini besë! Duke qenë se asnjë perëndi e ndonjë kombi o mbretërie, nuk ka mundur të çlirojë popullin e tij nga dora ime apo nga dora e etërve të mi, aq më pak Perëndia juaj do të mund t'ju çlirojë nga dora ime!".

16. Shërbëtorët e tij flisnin akoma kundër Zotit Perëndi dhe kundër shërbëtorit të tij Ezekia.

17. Senakeribi shkroi gjithashtu letra për të sharë Zotin, Perëndinë e Izraelit, dhe për të folur kundër tij, duke thënë: "Ashtu si perënditë e kombeve të vendeve të tjera nuk i kanë çliruar popujt e tyre nga dora ime, kështu as Perëndia i Ezekias nuk do ta çlirojë popullin e tij nga dora ime".

18. Ata bërtitën me zë të lartë në gjuhën judaike duke iu drejtuar popullit të Jeruzalemit që rrinte mbi muret, për ta trembur dhe për ta tmerruar, dhe kështu të shtinin në dorë qytetin.

19. Ata folën kundër Perëndisë të Jeruzalemit ashtu si kundër perëndive të popujve të tokës, që janë vepër e dorës së njeriut.

20. Por mbreti Ezekia dhe profeti Isaia, bir i Amotsit, u lutën me këtë rast dhe klithën në drejtim të qiellit.

21. Atëherë Zoti dërgoi një engjëll që shfarosi gjithë burrat e fortë dhe trima, princat dhe komandantët në kampin e mbretit të Asirisë. Ky u kthye në vendin e tij i mbuluar me turp; pastaj hyri në tempullin e perëndisë së tij, ku vetë bijtë e tij e vranë me shpatë.

22. Kështu Zoti shpëtoi Ezekian dhe banorët e Jeruzalemit nga dora e Senakeribit, mbretit të Asirisë, dhe nga dora e gjithë të tjerëve dhe i mbrojti rreth e qark.

Lexoni kapitullin e plotë 2 i Kronikave 32